Kandidatja për deputete nga Koalicioni për Familjen, Gyltene Derguti ka thënë se gjobat e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ndaj tyre janë të padrejta dhe antikushtetuese.
Derguti ka shtuar se pavarësisht këtyre gjobave Koalicioni për Familjen nuk do ta ndryshojë programin dhe as nuk do të japin dorëheqje nga parimet që i synojnë.
Ajo po ashtu ka treguar se për ankesën e tyre lidhur me këto dënime të PZAP-së nuk kanë marrë përgjigje akoma por që sipas saj kanë informata se janë nisur edhe fatura të reja për kandidatë të tjerë.
“Nuk i vlerësojmë të drejta, mendojmë që janë antikushtetuese sepse ne kemi të drejtë që popullatës tonë gjatë fushatës ti tregojmë parimet tona mbi të cilat ne kemi ndërtuar programin tonë politik. Sigurisht që Koalicioni për familjen ka bërë edhe ankesën për këtë. Aktualisht vlera e dënimit ka arritur në 18 mijë euro por besojmë që ne programin tonë nuk do ta ndryshojmë as nuk do të japim dorëheqje mbi parimet tona të cilat ne veç kemi synuar deri më tani. Aktualisht nuk kemi marrë ndonjë përgjigje për ankesën por kemi informata që janë nisur edhe fatura të reja për kandidat të tjerë”, ka deklaruar ajo në emisionin “Ditari”, në Tëvë1.
Koalicioni për Familje deri tani nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) është gjobitur tri herë në shumë të përbashkët prej 16,500 eurosh për siç thuhet gjuhë denigruese dhe nxitje të urrejtjes./teve1.info/







