Njohësi i sigurisë, Arben Dashevci vlerëson se aksionet e Policisë në institucionet paralele nuk e cenojnë sigurinë e brendshme të Kosovës.
Dashevci në emisionin “Ditari” në Tëvë1 ka thënë se asnjëherë nuk ka pasur cenim të sigurisë së brendshme kur janë mbyllur strukturat paralele në Kosovë.
“Në këtë rast kjo siguria e brendshme sa herë janë mbyllur këto strukturat paralele në Kosovë kemi qenë dëshmitar edhe të asaj që nuk ka pasur diçka që e cenon sigurinë e brendshme, ose atë pakënaqësinë e madhe të qytetarëve pa marrë parasysh nacionalitetin ose etninë. Në këtë rast ai cenimi i sigurisë që po e përmendni dihet gjithmonë se prej kah na ka ardhur pra nga ata që na e kanë shkaktuar Banjskën tash e 24 vite, sepse kanë qenë probleme në kontinuitet të akumuluara kur kanë vepruar edhe strukturat ilegale, por ajo siguria e brendshme me atë si po e shoh pasi jam vetë i këtij qyteti ose në çdo territor tjetër të Kosovës nuk mendoj që do ta cenoj sigurinë e brendshme të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Policia e Kosovës në bashkëpunim me institucionet kompetente të mërkurën ka realizuar një aksion policor në disa rajone të Kosovës.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka njoftuar se janë mbyllur komuna paralele të Serbisë, posta e zyre tatimore në dhjetë komuna të ndryshme.
Aksione policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se sipas saj nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse./teve1.info/