Ndërsa forcat ruse shtuan përparimet e tyre në lindje të Ukrainës, ato u ndihmuan edhe nga një mjet i ri – droni që fluturon me përdorimin e kabllove me fibra optike.
“Përdorimi i dronëve FPV me fibra optike krijon patjetër sfida të reja në fushën e betejës”, thotë një roje kufitare në Brigadën Pomsta, e cila përdor nofkën Phoenix.
Radio Evropa e Lirë ra dakord që ta identifikojë atë dhe ushtarët e tjerë me shenjat apo nofkat e tyre, ashtu siç përcakton edhe rregulli i vendosur nga ushtria ukrainase.
Ndryshe nga dronët standardë FPV, të cilët pilotohen përmes një videoje që transmetohet në kufjet e pilotit, në pajisjet celulare ose në ekranet e tjera, kabllot me fibra optike mundësojnë që dronët të funksionojnë pa radio-sinjale.
Kjo i bën ata më pak të rrezikuar ndaj bllokadës elektronike, pasi mbeten të lidhur drejtpërdrejt me operatorët e tyre përmes kabllove me fibra optike.
Forcat e Ukrainës janë duke u përballur me mungesa armësh nga Perëndimi dhe Rusia është në avantazh sa i përket numrit të ushtarëve në anën e saj.
Në këtë situatë, dronët e modifikuar padyshim se paraqesin ndryshim të taktikave në fushëbetejë.
Si Kievi, ashtu edhe Moska i kanë intensifikuar luftimet, përpara se presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, i cili është zotuar se do t’i japë fund luftës shpejt, ta marrë detyrën më 20 janar.
Dronët e rinj thuhet se kanë qenë në përdorim që nga vera, por ushtarë të Ukrainës, të stacionuar nëpër zona të ndryshme të vendit, thonë për Radion Evropa e Lirë se ata janë duke u bërë një element kryesor i strategjisë së Moskës në fushëbetejë./REL/