Kandidati për deputet nga LDK-ja, Gezim Plakolli, ka thënë se nëse kryeministri Albin Kurti nuk ka mundur ta reformojë qeverinë e tij në katër vite nuk do të thotë se LDK-ja nuk është reformuar.
Plakolli e ka përmendur veten si një prurje të re në LDK dhe po ashtu ka shtuar se ka edhe shumë njerëz të rinj që i janë bashkuar këtij subjekti politik që sipas tij kanë sjellë sjell frymë të re.
“Nëse për katër vite kryeministri Kurti nuk ka mundur ta reformojë qeverinë e tij me gjithë ato skandale që e kanë përcjellë në këto katër vite, partia e LDK-së është reformuar. Unë jam një prurje e re në LDK, kemi edhe degë të tjera të LDK-së në gjithë Kosovën që janë reformuar, kemi njerëz të rinj që i janë bashkuar LDK-së, me njerëz të cilët gjithmonë kanë qenë rugovist por kanë sjellë një frymë të re, një mënyrë të re të punës dhe një rrugë të re të cilët dëshirojmë ta implementojmë në programin tonë politik”, është shprehur ai në emisionin “Info Nata”, në Tëvë1.
Ai më tej ka shtuar se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk i kërkon 500 mijë vota nga qytetarët por kërkon bashkëpunim me qytetarët.
“Për dallim nga partitë e tjera LDK dëshiron që ndryshimin ta bëjë me qytetarët e Kosovës. Nuk kërkojmë ne votë 500 mijë, ne kërkojmë bashkëpunim me qytetarët, ne dëshirojmë që Kosovën ta bëjmë të jetueshme për qytetarët e saj dhe për të rinjtë e saj”, ka thënë Plakolli.
Ndryshe, kryeministri i vendit, Albin Kurti, të hënën ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni paszgjedhor me PDK-në, LDK-në apo AAK-në. Ai ka thënë se nuk ka parë ndonjë reformim të këtyre partive në katër vitet e fundit.
“Ne nuk shohim mundësi që të kemi koalicione paszgjedhore prandaj edhe i kemi bërë ato parazgjedhore, së pari me partinë Guxo dhe gjithashtu me partinë Alternativa, me të cilët kemi bashkëqeverisur në këto katër vjet dhe i kemi përvojat dhe mbresat më të mira nga njëri-tjetri. Partitë që kanë qenë gjatë në qeverisje në Kosovë për dy dekada, nganjëherë dy prej tyre, nganjëherë të trija bashkë, PDK, LDK dhe AAK, në këto katër vite unë nuk kam parë që janë reformuar dhe kur e kemi parasysh se, sidomos në muajt e fundit, sulmet që janë bërë ndaj subjektit tonë politik, ndaj eksponentëve të subjektit tonë politik, ndaj qeverisjes sonë të mirë e demokratike, nuk shohim mundësi që të kemi çfarëdo koalicioni në mandatin tjetër, për më tepër që nuk do të jetë as i nevojshëm”, ka deklaruar Kurti./teve1.info/