Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi në mungesë ndaj Sllavisha Filiq. Ky i fundit po akuzohet se në cilësinë e pjesëtarit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, mori pjesë në kidnapimin e më pas zhdukjen e mjekut të luftës, Hafir Shala. Në seancën e së martës, u dëgjua dëshmia e Shaban Nezirit, i cili bashkë me Shalën ndodhej në të njëjtin automjet në ditën kritike.
Banka e të akuzuarit është bosh.
Por pavarësisht kësaj, seanca kundër Slavisha Filiq, është gati të fillojë.
Ky i fundit po akuzohet se në cilësinë e pjesëtarit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, organizoi kidnapimin dhe zhdukjen e mjekut të luftës, Hafir Shala.
E gjithë ngjarja kishte ndodhur me 10 prill të vitit 1998, kur vetura në të cilën ndodhej Shala, u ndal tek udhëkryqi i Sllatinës në Fushë Kosovë.
Me të atë ditë në veturë, ishte edhe Shaban Neziri.
Ky i fundit të martën para trupit gjykues dha dëshminë e tij për ditën kritike.
Por para se gjithçka të fillonte, për familjarët e mjekut të luftës kishte një porosi.
Tutje, Shaban Neziri, tregoi për afërsinë e tij me Hafir Shalën.
“Së pari jemi të lindur dhe të rritur në një fshat. I kemi pas marrëdhëniet e mira mes familjeve. Doktori pas shkollimit ka ardhur në vendlindje për të kontribuar si mjek. Fillimin e veprimtarisë më të e kemi pas kur e kemi fituar besimin e tij të sinqertë”, ka deklaruar ai.
Dëshmitari kryesor për këtë rast, për mbi një orë ka vazhduar me dëshminë për ditën kritike.
“Në kryqëzimin e Sllatinës na kanë ndaluar kerri i policës serbe, kanë qenë me uniformë. Na lypen dokumentacionin personal. Në të djathtë ka qenë i parkuar edhe një xhip “Opel Frontera” me tabela te Prishtinës, civile. Na kanë kontrolluar në kerr këta policët me uniforma dhe na i morën dokumentet. Një civil ka ardh (nga xhipi) e ka kap për dore doktorin. Pastaj doktorin e kane fut në xhip neve dhe neve na urdhëruan më i grah kerrit për Prishtine”.
Neziri ishte personi i fundit që e pa të gjallë mjekun e luftës.
Ky tregoi se çfarë dëgjoi në stacionin policor në Prishtinë, kur Hafir Shala po merrej në pyetje.
“Ne korridor e kam njoftë britmën e doktorit. Auuu, Auuu!”.
Neziri ka thënë se Slavisha Filiqin, e kishte parë edhe dy herë të tjera para 10 prillit.
“Të njëjtin person qe e përshkrova në këmbë (tek xhipi) aty ka pas mantill të gjatë. Por, kur u bojshin protestat për liri, ai vazhdimisht ka qenë i angazhuar në Gllogovc, na përcillite. Herën e dytë kur u organizuam me ardh ne Prishtine, në korzë për qejf, me Hafir Shalën e të tjerë në Prishtinë. Tu e shëtit korzën, u ardh ky i veshur civil, ja ngjiti për krahu doktorit. Doktori na tregoi se e kishte pyetur se pse keni ardh këtu prej Gllogovcit? Hera e tretë ishte ne Sllatine kur na ndaluan, e kisha në afërsi 10 metra”, tha ai.
Dëshmitari ka treguar se çfarë i tha ish-hetuesi, Fadil Syleviqi, kur e mori në pyetje për këtë rast.
”Ata janë sigurimit shtetëror, edhe ne s’kemi drejt me i shti huntë aty. Pas një dite a dy e thirra avokatin, i thashë a more vesh najsen? Më tha ata p’e dinë kush është, po na thanë mos na thirre më”.
Dëshmitari i njëjtë pritet ta vazhdojë dëshminë e tij edhe në seancën e radhës që u caktua në muajin shkurt të vitit të ardhshëm.