Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), nuk e ka certifikuar Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit. Shkak për këtë janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të Listës Serbe në Kosovë, Zllatan Ellek, të bëra gjatë prezantimit të listës zgjedhore.
Të hënën u anëtarët e KQZ-së, u mblodhën për mbledhjen e radhës.
Në rend dite, votimi për certifikimin e 17 subjekteve politike.
Por, votën e shumicës e morën vetëm 16 prej tyre.
Kjo pasi Lista Serbe nuk e mori miratimin për të garuar në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Arsyet për këtë, i tregoi anëtari i VV-së në KQZ, Sami Kurteshi.
“Asnjëherë nuk përmend Republika e Kosovës por thotë ‘Kosovo i Metohija’. Nuk thotë rrënoftë Kosova por rrënoftë Serbia’. Kjo listë është bërë strofull i personave terroristë. Po e mban një terrorist që e ka bërë publike se ka qenë pjesë e një akti terrorist. Unë për vete kam një kufi deri ku shkoj”, tha Kurteshi.
Në këtë votim abstenoi Partia Demokratike e Kosovës.
“Ndaj të njëjtat shqetësime me anëtarin e VV-së, mirëpo kam një shqetësim tjetër për shkak se rekomandimi i Zyrës për Regjistrim të Partive ka thënë se ky subjekt plotëson të gjitha kriteret që të jetë në garë për zgjedhjet e 9 shkurtit. Është bazuar edhe në deklarimet e MPB dhe MPJ dhe të gjithë kanë thënë se subjekti në fjalë i plotëson kriteret. Unë me këtë rast abstenoj deri në definimin e saktë sepse certifikimi i subjekteve duhet ta ketë një konsensus të përbashkët”, tha Arianit Elshani anëtar i PDK-së në KQZ.
E njohësit e Kushtetutës, tregojnë se në cilat raste, një subjekt nuk arrin të certifikohet për pjesëmarrje në zgjedhje.
“KQZ në bazë të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ka të drejtë, sidomos Zyra për Regjistrim dhe Certifikim të Subjekteve Politike që është e entitet i pavarur brenda KQZ-së që të mbikëqyr punën e sa i përket ligjshmërisë së veprimit të subjekteve politike. Lista Serbe mund të ketë pasur veprime të tilla dhe ka pasur sigurisht dhe këtë anëtarët e KQZ-së e kanë identifikuar në vazhdimësi”, shprehet Mazllum Baraliu.
Baraliu thotë se duhet të pritet vendimi i gjykatës në këtë rast, nëse Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Ligji thotë që nga neni 11, 12, 13, 14, 15 flet për shkeljet të cilat kanë të bëjnë me veprimet e kundërligjshme ose mosveprimet të cilat bien ndesh me legjislacionin elektoral të vendit, pra të Republikës së Kosovës. Nëse kjo ndodh, i jepet mundësia KQZ-së që nëse e ka regjistruat, ta çregjistroj, e nëse nuk e ka certifikuar, mos ta certifikoj siç ka vepruar sot. Ndërkaq më saktësisht, neni 14 thotë se sanksioni penal ndaj subjektit politik në rast shkelje, duhet të përcaktohet me vendim të gjykatës, që do të thotë rrjedhimisht, bazuar në situatën aktuale, Zyra për Certifikim i kryen detyrat e saja, pra nuk e ka regjistruar këtë subjekt politik, pastaj vijnë ankesat dhe ato shkojnë deri tek inicimi i të drejtës të subjektit politik në këtë rast dhe pale të interesuar në procedurë deri në gjykatë dhe kjo ta bie verdiktin”, thotë ai.
Në lidhje me mos-certifikimin e Listës Serbe të hënën, ka reaguar edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Ky ka thënë se kryeministri i Kosovës, po tenton ta eliminoj kundërshtarin e vetëm politik në Kosovë.