Mandarinat që vijnë nga Shqipëria thuhet të jenë në nivel më të lartë të pesticideve. Për këtë nga AUV në Kosovë kanë marrë mostrat dhe janë duke pritur rezultatet e testimit. E qytetarët thonë se tani janë duke konsumuar më pak mandarina shkak i këtij shqetësimi të ngritur.
Është konsumues i madh i mandarinës.
Por këto ditë, Qazim Kozmaqi, qytetar nga Prishtina që e ka për qejf shumë këtë frut, tani është duke blerë më pak.
Krejt, kjo prej lajmit që mandarinat nga Shqipëria dyshohet të kenë nivel të lartë të pesticideve.
“Jam konsumues i mandarinës po diçka tash na kanë bërë pak merak e i kemi ndal pak për pesticide e s’po e dimë as është e vërtetë a nuk është. Jam tu i ble por me pakicë se blefshim goxha me shumicë, konsumues i rregullt pasi që mandarina është vitaminë C”, tha Kozmaqi.
Dikush e ka vështirë të identifikojë prejardhjen e mandarinave.
“Nuk kam dëgju, nuk e di. Me ditë se cilat janë me ditë që janë qashtu me pesticide nuk i blejë por ku me ditë në, konsumatorët normal ku me i ditë si njohim”, u shpreh një tjetër qytetar, Ali Krasniqi.
Megjithëkëtë, muaji dhjetor njihet si i mandarinës për shkak të konsumit të madh të tyre.
“Ky muaj është i mandarinës e që shitet më së shumti. Brenda një ditë shiten 150 kilogram apo 200”, tha shitësi, Patriot Maqastena.
Sipas Maqestenes në momentin që kanë një njoftim zyrtar për vlerat e larta të pesticideve në mandarina do të ndërmerr masa të menjëhershme.
“Po ne e ndalojmë këtu më së marrim hiç, nuk shesim hiç mandarina ose e marrim prej tjerave vende”, tha ai.
E nga Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit thonë se nuk ka vend për shqetësim, megjithatë secila ngarkesë po kontrollohet në detaje.
“Ne nga lajmet që kanë buruar nga njoftimet e Bashkimit Evropian për disa ngarkesa me origjinë nga Shqipëria që kanë rezultuar mbi limitet e lejuara të prezencës së pesticideve, ne menjëherë e kemi vendos masën e kontrollit të detajuar apo kontrollit të shtuar , ku secila ngarkesë do të mostrohet dhe do të dërgohet për analiza laboratorike në detektim të prezencës apo jot ë pesticideve mbi normat e lejuara. Secila ngarkesë që mostrohet do të mbetet e bllokuar deri në ardhjen e rezultateve laboratorike”, tha Lamir Thaçi nga AUV-i.
Se çfarë shkaktojnë pesticidet në frutin e mandarinës e tregon nutricionistja, Flora Hajrizi.
Mandarinat janë fruta të pasura me vitaminë C, vitaminë A, kalium, fibra dhe antioksidantë, që ndihmojnë në forcimin e sistemit imunitar, përmirësojnë shëndetin e zemrës.
Ndërsa për të minimizuar rreziqet, rekomandohet larja e kujdesshme me ujë dhe sodë buke ose uthull, e heqja e lëkurës.
Përgjatë javëve të fundit, Kroacia, Republika Çeke, Italia dhe Lituania, vende që kanë importuar fruta nga Shqipëria i kanë refuzuar pas analizave.