Banorët e fshatit Makoc të Prishtinës ankohen se janë të neglizhuar nga Komuna. Kjo për faktin se trotuaret e lagjes “Hoxhaj” në disa pjesë janë rregulluar e disa të tjera jo. E për këtë situatë të krijuar nga Komuna e Prishtinës kanë një përgjigje.
Tash e sa kohë trotuaret e Lagjes “Hoxhaj” në fshatin Makovc të Prishtinës janë në gjendje të “mjerueshme”.
Ani pse Komuna ka investuar në disa pjesë të këtij fshati, në këtë lagje është investuar vetëm në pjesë të caktuara.
E kjo situatë e krijuar ka ngjallur pakënaqësi te banorët.
Murat Krasniqi banor i rrugës “Halim Krasniqi” tregon për televizionin se ku është problemi.
“Problemi jonë është që në këtë lagje ka bo investim kapital Komuna nga fshati Grashticë deri në fshatin Llukarë. Por këtë lagjen tonë e ka anashkaluar diçka që na ka brengosur shumë”, shprehet banori, Murat Krasniqi.
Sipas Muratit e gjithë kjo neglizhencë është bërë për arsye politike.
“Duke e marrë parasysh që Kuvendi Komunal e ka LDK-ja, kjo strukture e cila zhvillohet këndej na ka neglizhuar se ka menduar që nuk ia qesim votën apo çka po di unë. Aty ku ia merr mendja që e ka votën e sigurt, aty ka investuar. Aty ku ka pas dëshirë, ku ia ka marr mendja që e merr votën aty ka shtruar edhe nëpër bahçe”, shprehet ai.
E sipas Hasim Krasniqit, po ashtu banor i kësaj lagje, mënyra se si ka vepruar Komuna për rregullimin e trotuareve nuk është e duhura.
“Më mirë është krejtve me ja u shtruar. Ose me e shtruar për të gjithë ose me lënë për krejt. Dikujt po e dikujt jo, këtu po fillon një grindje midis vete. Se së pari këtu dy metra që i kanë lënë marre ju qoftë, qe atij fqinjit aty jo”, thotë banori Hasim Krasniqi.
E në anën tjetër, Komuna e Prishtinë ka treguar se kur do të fillohet të punohet në pjesët e mbetura.
“Në fillim të marsit do të vijohet me pjesët e mbetura dhe po shpresoj shumë që edhe kjo pjesë do të integrohet e pastaj të përmbyllet qoftë skajoret, qoftë në ndonjë rrugicë ashtu që të plotësohet edhe ankesa e këtyre banorëve”, thotë zëdhënësi i komunës, Daut Lushaku.
Me miratimin e buxhetit për vitin 2025, Komuna e Prishtinës për pjesën e Gollakut ka paraparë diku rreth 2 milion euro investime.