Pas 65 viteve në shtetin e Sirisë, përfundoi edhe diktatura e familjes Assadi. Kjo bëri që ish-presidenti Bashar Al Assad pas 13 viteve ta humbte luftën me opozitën siriane. Ky lajm ka gëzuar edhe sirianë që jetojnë si refugjatë në Kosovë, por këta thonë se nuk do të kthehen në vendlindjen e tyre pa e parë se shteti i tyre do të jetë 100% i sigurt.
Ka pesë vite që jeton në Kosovë, Naser Almassalma nga qyteti Daraa i Sirisë.
Por, gjithë vëmendjen e ka në ngjarjet e fundit që ndodhën në shtetin e tij.
Naser Almassalma pati fatin që bashkë me familjen, të ikte nga duart e Bashar Al Assadit.
“Unë arrita të largohesha nga sistemi i Bashar Al Assadit. Askujt nuk i pëlqen ai sistem. Dikush si unë arriti të largohej, por shumë të tjerë jo. Vetëm tani e shihni që ka njerëz që i mbajtën në burgje për 40 vjet dhe askush nuk mundi të bënte gjë për ta. Unë u largova qysh në mundësinë e parë që mu dha. Nuk u ktheva më. Shpresoj që tani gjithçka të rregullohet, sepse Siria është një shtet shumë i bukur”, tha refugjati sirian.
E diktaturës 25 vjeçare të ish-presidentit sirian, Bashar Al Aassad, i tha fund opozita siriane më 8 dhjetor të vitit 2024.
Por kush ishte Assad-i sipas vet sirianëve?
“Assadi ishte një diktator. Gjithçka filloi me babain e tij mbi 60 vite më parë, i cili kur u largua ia liroi vendin Assadit të sotëm. Ata ishin diktatorë dhe ajo çfarë e bënë ata në Siri, nuk mund ta bëj askush tjetër, madje as Hitleri. Njerëzit duan liri, kjo është arsyeja pse njerëzit e duan Evropën sot, sepse mund të bësh dhe ta thuash atë që e mendon. Shembull në Siri, nëse dikush të dëgjonte çfarë po bisedoje me dikë, do të shkoje në burg, i cili nuk ishte burg normal”, tha Nasser Alsmasalma.
Nasser Al Massalma, thotë se do të kthehet në vendlindje vetëm kur Siria të jetë 100% e sigurt.
Ndërsa fjalë të mëdha ka për Kosovën.
“Ka pesë vite që po qëndroj në Kosovë, më parë jetova në Hungari, por e kisha problem jetesën atje. Më pas u shpërngula në Serbi dhe dikush atje me tregoi për Kosovën. Nuk dija gjë për Kosovën, por tani që ndodhem këtu, e shoh që është një vend me 97% popullsi myslimane. Është ndryshe nga Evropa katolike. Më mungonte kultura e myslimanëve, njerëzit janë të sjellshëm këtu, nuk kam probleme. Më pëlqen Kosova shumë”, tha ai.
E në muajt e fundit numri i imigrantëve me origjinë nga Siria, ka rënë dukshëm.
Në Qendrën për Pritje të Përkohshme në Vranidoll, thonë se mesatarja e qëndrimit në Kosovë të refugjatëve sirianë, është më pak se 7 ditë.
“Imigrantët të cilët profilizohen si imigrant të parregullt, atëherë akomodohen këtu, megjithatë që nga themelimi i Qendrës në qershorin e vitit 2022 e deri në këto momente, numri i imigrantëve me origjinë siriane është 460. Aktualisht nuk kemi imigrant me origjinë siriane, të fundit kanë qenë me datën 18 nëntor”, tha udhëheqësi i Qendrës për Pritje të Përkohshme për Imigrant, Fehmi Rama.
Por, ndryshe nga kjo qendër, në atë për Azil në Magure të Lipjanit, sirianët janë ende të pranishëm.
“Për momentin në Qendrën për Azil i kemi diku 3-4 sirianë, kurse në banim privat mund të jenë diku 15 sirianë, sepse ata që marrin status të refugjatit, kërkojnë të akomodohen në banim privat nëse i mbulojnë shpenzimet e akomodimit”, tha udhëheqësi i Qendrës për Azil, Fitim Zariqi.
Ndërkohë nga Ministria e Punëve të Brendshme, në një përgjigje për Tëvë1 kanë bërë të ditur se në 5 vitet e fundit, strehim në Kosovë kanë kërkuar afër 3 mijë sirianë.