Komuna e Prishtinës është një nga institucionet që ka mbetur pa vetura, për shkak të skadimit të kontratës së nënshkruar nga Autoriteti Qendror i Prokurimit për marrjen e tyre me qera. Nga Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca në kryeqytet thonë se kjo u ka vështirësuar reagimin në rastet e ndryshme.
Nga 6 dhjetori shumë institucione të vendit kanë mbetur pa asnjë veturë.
Kjo për shkak të skadimit të kontratës së lidhur nga Autoriteti Qendror i Prokurimit me një kompani për marrjen me qira të veturave.
Një nga to është edhe Komuna e Prishtinës që fajin për këtë ia lë AQP-së.
Por kjo e fundit, për tëvë1 thotë se ka anuluar aktivitetin e prokurimit pasi janë pranuar dy oferta mbi 50 për qind të vlerës së parashikuar.
“Me këtë rast konsiderojmë që as AQP por as institucionet tjera nuk janë të gatshme të paguajnë qira të veturave mbi vlerën që ka arsyeshmeri ekonomike. AQP ka ri tenderuar këtë aktivitet të prokurimit i cili është publik dhe sipas afateve të përcaktuara ligjore hapja e ofertave është me datën 30.12.2024. Procedura është publike dhe të gjitha palët e interesuara mund të shohin në e-prokurimi dhe të shohin që kërkesat e vetme janë një deklaratë nën betim, certifikata e biznesit dhe katalogu, pra vetëm këto kërkesa kërkohen nga ofertuesit.”
E drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Prishtinë, Lulzim Fushica thotë se kjo u ka shkaktuar vështirësi në reagim nëpër zona më të largëta të qytetit.
“Ne si Drejtori për Emergjenca ne nuk kemi orar të punës, puna tek ne nuk përfundon në ora 04, apo në ora 05. Ne kemi raste në ora 12:00 ora 01:00 të natës që duhet të dalim në terren, ne nuk mund të dalim të them të marrim një taxi të shkojmë atje se kemi pajisje, nuk mund të dalim me vetura private. Pra po e them edhe një herë, ky vendim e ka goditur shumë jo vetëm kryeqytetin, në këtë kategori hyjnë edhe Komunat tjera, institucionet tjera, dhe kjo ka paraqitë dhe është duke paraqitë një problem shumë të madh”, ka deklaruar ai.
E njohësi i qeverisjes lokale, Valmir Ilazi vlerëson se kjo ngre shqetësime serioze në menaxhimin e burimeve publike dhe ndikimin në shërbimin e qytetarëve.
“Është e pa pranueshme që një kontratë kaq e rëndësishme për funksionimin e Komunave të lihet të skadojë pa një plan zëvendësues apo një marrëveshje të re. Institucionet qëndrore duke përfshirë AQP-në dhe Ministria e Financave kanë për detyrë të garantojnë vazhdimësinë e shërbimeve për autoritetet lokale”.
Tëvë1 ka kërkuar përgjigje edhe nga Ministria e Financave për këtë çështje, por që deri në publikimin e kronikës nuk kanë kthyer përgjigje.