Të dielën kanë përfunduar punimet për sanimin e pjesërishëm të dëmit në kanalin e Iber Lepencit pas sulmit terrorist që ndodhi të premten mbrëma. Nga vendi ku u krye sulmi, ministri i punëve të brendshme, Xhelal Sveçla u zotua që përgjegjësit do të dalin para drejtësisë, ndërsa puna për kapjen e personave të përfshirë në këtë sulm, vazhdoi edhe dy ditë pas sulmit.
Puna intensive për ekipet emergjente vazhdoi edhe të dielën.
Këta po i bëjnë përpjekjet e fundit që uji në kanalin e Ibër Lepencit të qëndroj në shtrat.
Kjo pasi të premten mbrëma ky kanal në fshatin Varragë të Zubin Potokut ishte cak i një sulmi terrorist.
Për t’i parë nga afër punimet, këtu doli edhe i pari i Zubin Potokut.
“Edhe unë jam i inkurajuar me këtë intervenim shumë efikas në sanimin e gjendjes, sepse ka qenë një sulm i rëndë terrorist në këtë arterie jetike për qytetarët e Republikës së Kosovës”, tha kryetari i kësaj komune Izmir Zeqiri.
E nga vendi ku u krye sulmi, ministri i punëve të brendshme u zotua se përgjegjësit do ta dalin para drejtësisë.
“Unë e di që policia po e vazhdon punën e saj. Realisht, ky është sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike. Nëse dikush mendon se ne do ta lëmë me kaq, e ka shumë gabim. Institucionet e sigurisë dhe hetimet do të zbulojnë krejt çka ka ndodhur dhe kush e ka kryer këtë, patjetër se përgjegjësit do t’i vë para drejtësisë, kurse përgjegjësit apo urdhërdhënësit e tyre patjetër që do të marrin barrën politike”, tha Sveçla.
Ndërkohë puna për kapjen e tyre vazhdoi edhe dy ditë pas sulmit.
Për Tëvë1 e bëri të ditur zëvendësdrejtori i stacionit policor në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.
“Sot kemi pas kontroll të terrenit përgjatë kanalit në Varragë, bastisje e kontroll. Kemi konfiskuar 3 pushkë gjuetie por nuk kemi të ndaluar apo të arrestuar. Kontrolli i terrenit është kryer me njësinë policore K-9 e po ashtu edhe me njësitet tjera policore dhe tashmë ka përfunduar”, tha Elshani.
E gjatë ditës, forca të shtuara të pjesëtarëve të KFORi-t, janë parë edhe në afërsi të vendit ku ndodhi shpërthimi.
Në një përgjigje për Tëvë1, nga KFOR-i kanë thënë se që nga e premtja po ofrojnë sigurinë për tubacionin e ujit afër Zubin Potokut dhe zonat përreth.
Ndërkohë, furnizimi me ujë, u kthye në normalitet të dielën në rajonin e Mitrovicës.
“ Mbrëmë vonë, meqenëse është sanuar problemi në kanal pjesërisht. Ne kemi filluar nga mbrëmë vonë pjesërisht me përpunimin e ujit të pijes. Mitrovica dhe Vushtrria mbrëmë vetëm se kanë pas ujë. Sot në mëngjes është furnizuar edhe Skenderaj, sepse normal në Skenderaj uji mbërrin pak më vonë. Për momentin furnizimi me ujë i është kthyer normalitetit. Jemi duke punuar me kapacitetet e plota. Cilësia e ujit është më rregull, ka kontroll standarde nga laboratorët tanë dhe IKSHPK-së”, tha Bashkim Kurti drejtor i “KRU Mitrovica”.
Ndërkohë përmes një postimi në Facebook, kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur që së shpejti pritet të normalizohet furnizimi me ujë edhe për qytetarët e Fushë Kosovës, Drenasit dhe Obiliqit.