Njohësi i sigurisë, Fatmir Qollaku ka thënë se me emërimin e John Ratcliffe në krye të CIA-së shqiptarët do të jenë më të sigurtë.
Kjo pasi sipas tij, propaganda ndaj shqiptarëve dhe Kosovës do të këtë një barrierë dhe jo si në të kaluarën.
“Drejtori i CIA-s ka rëndësi të madhe nëse është në këtë rast figurë e pranueshme, e njohur dhe në relacione të mira me shqiptarët, sepse në instancën e fundit lobimet e ndryshme kundër interesave shqiptarë nuk do të kenë sukses si kanë pasur në faza të caktuara. Jemi dëshmitarë i misionarëve të ndryshëm politik që kanë ardhur në Kosovë në emërime dhe në nivele të ndryshme… të cilat herë pas here kanë shfaqur nëse jo direkt atëherë indirekt anshmërinë e tyre nga Serbia…Ne këtë rrafsh ne shqiptarët tani e tutje do të jemi të sigurt se nëse nuk ka ndonjë lobim të fuqishëm për interesat e shqiptarëve se paku ka një barrierë për propagandë kundër interesave të shqiptarëve dhe Kosovës në rrugëtimin e saj shtetërorë”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ndryshe, presidenti i zgjedhur i ShBA-së Donald Trump, ka thënë se John Ratcliffe do të jetë në krye të CIA-s, njërës prej shërbimeve sekrete më të mëdha dhe më të fuqishme në botë.
Trump, tha se Ratcliffe ka qenë gjithmonë një luftëtar për të vërtetën dhe ndershmërinë me publikun amerikan.
“Jam i kënaqur të njoftoj se ish-Drejtori i Inteligjencës Kombëtare, John Ratcliffe, do të shërbejë si Drejtor i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA). Nga zbulimi i bashkëpunimit të rremë rus si një operacion i fushatës së Clinton, deri te kapja e abuzimit të FBI-së me Liritë Civile në Gjykatën FISA, John Ratcliffe ka qenë gjithmonë një luftëtar për të Vërtetën dhe Ndershmërinë me Publikun Amerikan. Kur 51 zyrtarë të inteligjencës po gënjenin për laptopin e Hunter Biden, ishte një, John Ratcliffe, që po thoshte të vërtetën për Popullin Amerikan”, thuhet në njoftimin e tij.