Komisioni Evropian të mërkurën ka publikuar Raportin e Progresit për vitin 2024, ku tek seksioni për lirinë e shprehjes vlerësohet se Kosova ka bërë “përparim të kufizuar”sa i përket lirisë së shprehjes. Raporti po ashtu vlerëson se Qeveria e Kosovës ka përpjekje për të ushtruar kontroll mbi medien. Më këto probleme edhe njohësit e medieve thonë se po përballen çdo ditë gazetarët në Kosovë.
Ka katër vjet që punon si gazetare.
Por, viti më i vështirë në raportim për gazetaren e Tëvë1, Fetije Kamberin, ishte ai i 2023-ës.
Kjo pas ngjarjeve të fundit në veriun e vendit.
E një fotografi që u bë virale, ishte pikërisht momenti kur gazetarja e Tëvë1, po pengohej në raportim nga protestuesit e maskuar serb.
“Në atë kohë e kemi pasur një perimetër të vendosur, që nuk e kishim në ngjarjet e tjera normale (ku kemi raportuar). Perimetri ka qenë i ngushtë, shkaku se nonstop kishte protestues serbë të cilët na janë afruar, na kanë bërtitur, na kanë sharë në gjuhën serbe dhe nuk kishte mëshirë për faktin se ne jemi gazetarë”, tha gazetarja Fetije Kamberi.
E rastet kur gazetarët u penguan në punën e tyre, janë përmendur edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për vitin 2024.
Në të thuhen se janë shënuar plot 72 raste të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në Kosovë, gjysma e tyre në përudhen maj/qershor të vitit të kaluar në veriun e vendit.
E në shumicën e rasteve, target i sulmeve ishin gratë gazetare.
Tutje në këtë raport, thuhet se ka përpjekje të Qeverisë së Kosovës, për të ushtruar kontrolle mbi medie.
“E kemi parë qasjen, jo vetëm të qeverise po edhe të mazhorancës, si të rrezikshme ndaj medieve dhe gazetarëve, sepse ne e dimë shumë mirë që janë pushtete të ndara, pra media si pushtet edhe pse nuk është e theksuar, po është e rregulluar me kushtetutë dhe ligje, që ruhet pavarësia e tyre. E kemi parë që vazhdimisht janë të rrezikuar dhe kërcënuar nga mazhoranca dhe qeveria, duke pretenduar që mediet kanë edhe investitorë të tjerë prapa tyre, pastaj mbjell një lloj urrejtje të mbështetësve të tyre ndaj medieve të caktuara, gjë që e kemi parë edhe me rastin e RTK-së, ku kishte një qëllim për t’i denigruar disa gazetarë vetëm pse kanë kundërshtuar politika e Vetëvendosjes”, tha anëtari Komisionit për Media, Mërgim Lushtaku.
Shqetësues gjetjet e këtij raporti, po i sheh edhe profesori në Departamentin e Gazetarisë, Faton Ismaili.
“Përgjithësisht janë të konfirmuar krejt ajo çka ju e raportoni për çdo ditë, krejt problemet më të cilat përballet peizazhi mediatik, përfshirë edhe problemet në transmetuesin publik, ato brenda Radiotelevizionit të Kosovës, me dorëheqjet, shkarkimet dhe lajmet që dolën që ishin problematike, si në aspektin profesional dhe atë ligjor”, tha Ismaili.
Ismaili ka shtuar se gazetarët në Kosovë, po përballen çdo ditë me mungesë transparence nga ana e ekzekutivit.
“Në raport ishin përmendur edhe disa aspekte pozitive, përfshirë vëmendjen që kanë marrë sulmet e gazetarëve nga policia dhe gjykatat, por aspektet negative, pra vështirësitë më të cilat ballafaqohen gazetarët ishin aty, e gazetarët ballafaqohen me njëfarë presioni të qeverisë për kontroll, me mospergjigjen e zyrtarëve të qeverisë në informacione publike”, tha ai.
Në fund, Raporti i Progresit potencon se Rekomandimet e Komisionit nga viti i kaluar nuk janë zbatuar dhe mbeten të vlefshme.