Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), ka njoftuar se ka vendosur që të organizojë një protestë me 14 nëntor para Ministrisë së Shëndetësisë me fillim nga ora 11:00.
Në njoftim thuhet se, ky vendim është marrë për të shprehur mospajtimin me propozimin e qeverisë për një rritje të vogël të koeficientit prej 0.5.
Po ashtu, përmes protestës sipas FSSHK-së do të shprehet edhe pakënaqësia për mosnënshkrimin e Kontratës Kolektive Sektoriale, si dhe për ndërprerjen e dialogut socila me Ministrinë e Shëndetësisë.
“FSSHK-ja ka thënë se këto veprime e pengojnë përmirësimin e kushteve të punës. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka vendosur të organizojë një Protestë më 14 Nëntor 2024, në ora 11:00,para Ministrisë së Shëndetësisë. Vendimi për protestë u mor në mbledhjen e rregullt të Kryesisë më 31.10.2024,ku u diskutuan sfidat kryesore që po përballet sektori i shëndetësisë në Kosovë. Me këtë protestë, FSSHK shpreh pakënaqësinë e thellë për ndërprerjen e dialogut social me Ministrinë e Shëndetësisë, mospajtimin me propozimin e qeverisë për një rritje të vogël të koeficientit prej 0.5, si dhe mosnënshkrimin e Kontratës Kolektive Sektoriale”, thuhet në njoftimin e Federatës.
Ndryshe, të martën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se nga janari i vitit 2025 do të ketë rritje prej 55 euro të pagës për të gjithë punëtorët e sektorit publik.
Ai në një konferencë për media, ka thënë se kanë vendosur të mos e rrisin vleren e koeficientit por ta rrisin koeficientin për një njësi të secilit punonjës të sektorit publik.
“Ne kemi shkuar në maksimumin lejuar të rritjes buxhetore për pagat dhe kemi vendosur të mos e rrisim vleren e koeficientit por ta rrisim, koeficientin për një njësi të secilit punonjës të sektorit publik. Gjithë të punësuarit në sektorin publik pagat do të rriten për 55 euro duke filluar nga janari dhe për 110 euro nga muaji korrik i vitit të ardhshëm 2025”, ka thënë Kurti./teve1.info/
Kurti: Nga janari rritje page prej 55 euro, ndërsa nga korriku 110