“Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe”, thuhet në Betimin e Hipokratit i cili është një akt moral i mjekëve që bëhet para se të fillojnë punën në këtë profesion.
E kjo bënë që mantelbardhët të vihen në shërbim të pacientëve edhe në ditë festash.
Kështu në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku ka një fluks të madh të pacientëve, nuk ndjehet harmonia festive.
“Ne jemi kujdestar 24 orë,kjo është qendër emergjente dhe numri është i madh i personave që kërkojnë ndihmë këtu dhe realisht edhe nuk ke kohë dhe nuk është ambienti që mundesh me festu diçka”, tha Arbërie Fazliu-Hoxha, specialiste e Mjekësisë Emergjente.
Fazliu-Hoxha e cila disa herë ka qenë kujdestare në festa të Bajramit, thotë se shumë pacientë kërkojnë ndihmë mjekësore si shkak i marrjes së ushqimeve të tepërta dhe kalorike.
“Si gjatë festës së Bajramit por edhe festave të tjera kam qëllua disa herë kujdestare, qysh me mëngjes fillon fluksi i pacientëve, dmth është numër enorm i rasteve për shkak të marrjes së ushqimeve të tepërta edhe kalorike, pjesa dërmuese janë edhe që kanë mbajt ramazanin dmth gjatë gjithë muajit kanë pasur regjim të ushqimit e në ndërkohë mandej marrin ushqime të tepërta, ajo ka ndryshime të vlerave të hipertensionit ..qoftë vlerat e glikemisë”, shtoi ajo.
Ngarkesë punë në këtë festë vërehet edhe në Klinikën Gjinekologjike në QKUK.
E këtu stafi mjekësor mundohen të krijojnë një lloj atmosfere brenda kolektivit.
“Kur vijmë këtu, pavarësisht halleve, pavarësisht se nuk na ka pëlqyer që të jemi kujdestar, mundohemi që ndryshe prej ditëve më të zakonshme atë ditë krahas atmosferës së punës mundohemi me shiju edhe si një atmosferë aq sa është e lejueshme”, tha Curr Gjocaj, Gjinekolog-Obstetër.
Gjocaj i cili për dy festa Bajramash ka qenë kujdestar, thotë se në mbrëmje rritet numri i pacientëve, sidomos grave shtatzëna.
“Mundohem me u kriju një lloj atmosfere familjare brenda kolektivit, zakonisht për Bajram ndryshe nga festat tjera diku ka mbrëmja pritet një fluks i pacientëve,mbase pacientët e teprojnë pak me ushqim,ju rritet tensioni, sidomos tek gratë shtatzëna dhe një far forme kjo pjesa e dytë me kujdestarinë se kujdetaritë janë 4 orëshe pritet ngarkesë pune”, shtoi ai.
E për nënat të cilat janë afër procesit të lindjes, Gjocaj tregon për dëshirën e tyre që fëmijët t’i lindin në ditë bajrami.
“Shumica prej nënave shtatzëna kur e kapin dhimbjet natën e Bajramit, do me shty me arrit ditën e Bajramit është edhe ditë jubilare edhe ditë gëzimi lidhet edhe me besimin që fëmija mund të ketë fat”, tha Gjocaj.
Gjocaj bënë apel për gratë shtatzëna mos ta teprojnë me marrjen e ushqimeve gjatë festave.