Një nxënës është plagosur mëngjesin e së mërkurës në sheshin Skënderbeu në Mitrovicë. Rasti ka ndodhur pasi dy të miturit janë përleshur mes vete. I dyshuari është arrestuar nga policia, ndërsa gjendja e të plagosurit është stabile.
Doli në pushim të gjatë për të blerë ushqim.
Por nxënësi i një shkolle të mesme në Mitrovicë nuk u kthye në klasë të mërkurën.
Kjo meqë u ther me thikë nga një i mitur tjetër pas një përleshje mes tyre.
I lënduari është dërguar në emergjencën e spitalit.
Gjendja e tij është në gjendje stabile, por për shkak të nevojës për ekzaminime të mëtutjeshme dhe vizita specialistike të detajuara, ai është dërguar në QKUK.
“Në ambulanten e qytetit është sjellë një person, është sjellë një njeri në moshën 17 vjeçare. Pas therjeve me thikë i ka pas disa plagë, tri në gjymtyrë dhe një në bark… Për shkak se gjendja shpuese në bark ka nevojë për ekzaminime të mëtutjeshme dhe vizita specialistike të detajuara, ne pacientin në gjendje stabile e kemi dërguar për trajtim të mëtutjeshëm në QKUK”, tha Gëzim Berisha, u.d i drejtorit mjekësor në spitalin “Sami Haxhibeqiri”.
Policia ka arrestuar të dyshuarin e moshës së mitur.
“Incidenti ka ndodhur në sheshin “Skënderbeu” në Mitrovicë, ku pas një përleshje i lëndime nga një mjet i mprehtë ka pësuar viktima mashkull i moshës se mitur. Lidhur me rastin është arrestuar një person i dyshuar i moshës se mitur. Njësitet përkatëse po vazhdojnë me rrjedhën e hetimeve”, ka thënë Avni Zahiti nga Policia e Kosovës.
Ende nuk dihet motivi i gjithë ngjarjes.