Kryetari i Kamenicës, Kadri Rrahimaj, në emisionin “Ditari”, në Tëvë1, ka deklaruar se të premten do ta paraqes rastin në polici me të gjitha provat që ka siguruar nga anëtarët e Kuvendit, nëse paraprakisht kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci nuk kërkon falje për veprimin e tij.
Rrahimaj, ka thënë se për shkak të angazhimeve të shumta ditore nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë të enjten.
“Nëse ai bën një kërkim falje nga akti që ai ka vepruar ne nuk do ta inicojmë rastin në polici përndryshe për shkak të angazhimeve të shumta ditore sot nuk kam mundur të jem në një stacion policor, nga dita e nesërme do ta paraqes me të gjitha argumentet me të gjitha faktet edhe video incizimet të cilat i kemi siguruar nga anëtarët e Kuvendit”, ka thënë Rahimaj.
Ndryshe, në mbledhjen e së enjtes të Kuvendit të Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, pati një përleshje fizike mes kryetarit të Drenasit Ramiz Lladrovci e atij të Kamenicës, Kadri Rahimaj. Kjo erdhi pasi që kryetarët që vijnë nga LVV kërkuan të ketë transparencë me prani të mediave.
E protagonisti kryesor i kësaj ngjarje, tha se tollovi të tilla janë metoda të partisë në pushtet për largimin e vëmendjes nga publikimi i përgjimeve të Mimoza Kusari Lilës me Radoiçiqin.
“Shpeshherë kam thënë se jam bullduzher edhe kush më del përpara e marr pas vete, por nuk është e vërtetë që e kam shty. Unë kam kërkuar prej tyre sepse sikur ata që kanë të drejtë me dal me e pengu zhvillimin e punimeve të Kuvendit edhe ne që jemi shumicë, kemi të drejtë me thënë largohuni, lëshoni ta mbajmë kuvendin sepse ne i kemi lënë punët e tona, nëpër komuna tona për me e mbajte kuvendin”, tha Lladrovci. /teve1.info/