Në Dhomat e Specializuara në Hagë ka dhënë dëshminë para trupit gjykues dëshmitarja e 94-të, në rastin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.
Stamena Jeliq me kombësi serbe tha se gjatë luftës i është rrëmbyer bashkëshorti dhe akoma nuk është kthyer.
“Në verën e 1999-ës, dëshmitarja (01163) serbe jetonte në Rahovec së bashku me burrin e saj Marko Jeliq dhe me pjesëtarë të tjerë të familjes. Me ose rreth datës 16 qershor 1999, ajo ka qenë dëshmitare e rrëmbimit dhe keqtrajtimit të fqinjit të saj nga ushtarë të UÇK-së. Më vonë atë ditë, dëshmitares iu tha nga persona të tjerë që tre serbë të tjerë që jetonin në afërsi ishin marrë në një automjet nga pjesëtarë të UÇK-së. Më 9 gusht 1999, burri i saj u mor nga shtëpia e tij nga tre anëtarë të UÇK-së në prani të saj nga anëtarë të UÇK-së. Ai nuk u kthye kurrë në shtëpi dhe është i zhdukur që nga ajo kohë. Nëna e Marko Jelliq ka kontaktuar komandantin e UÇK-së në atë zonë për të marrë informacion lidhur me djalin e saj, por pa sukses. Nga gjithë serbët e rrëmbyer vetëm trupi-kufoma e Panta Gragoviq është gjetur”, tha prokurorja Alexandra Insinga.
Dëshmitarja u pyet nga mbrojtja nëse ishte e sigurt që ata që i rrëmbyen burrin ishin pjesëtar të UÇK-së.
“Burrat që morën bashkëshortin tuaj mund të kenë qenë kriminel nga Shqipëria që e kanë marr burrin tuaj për haraç dhe kanë pretenduar që janë nga UÇK”, tha Nina Tavakoli, avokate e Hashim Thaçit.
“Ata që kërkuan para e që morën bashkëshortin tim nuk ishin nga Shqipëria por nga Rahoveci, të njëjtin persona që e morën ishin ata që kërkuan para”, tha Stamena Jeliq, dëshmitare, shkruan RTK.
Dëshmitarja tha se ka vetëm një kërkesë lidhur me çështjen e bashkëshortit të saj.
“Trupi i tij nuk është gjetur kurrë…Ajo se çfarë dua të dijë është ajo se çfarë i ka ndodhur bashkëshortit tim dhe do të ishte mirë që të paktën të gjenim qoftë edhe një kockë të vetme në mënyrë të tillë që t’i bënim një varr dhe të kisha një vend ku më në fund mund ta qaja atë”, shtoi Jeliq.
Mbrojtja e Thaçit e pyeti nëse e dinte që institucionet e Kosovës kanë bërë një hetim për zhdukjen e bashkëshortit të saj, për çka Jeliq tha se nuk është e informuar për këtë. Por, avokatja tha se vet dëshmitarja i ka dhënë dëshmi Prokurorisë së Kosovës.
“Është hapur një hetim nga Prokuroria në Kosovë dhe ju thatë që nuk keni info për këtë?”, tha avokatja Tavakoli.
“Nuk kam bërë asnjëherë asnjë bisedë”, u përgjigj Jeliq. “Nuk keni pas asnjë bisedë me EULEX, këtë po deklaroni?”, pyeti sërish avokatja. “Nuk kam pasur asnjëherë asnjë bisedë me ta, unë thjesht kam shkuar aty dhe kam raportuar zhdukjen e burrit tim”, shtoi dëshmitarja.
“A e keni raportuar zhdukjen e burrit tuaj te organi i sundimit të ligjit në Kosovë?”, pyeti avokatja Tavakoli. “Po kam shkuar te KFOR-i dhe kam raportuar për zhdukjen e tij, por që atëherë askush nuk më ka bërë asnjë pyetje, askush nuk ka ardhur të më bëj pyetje”, tha dëshmitarja.
Ajo foli edhe për ndikimin që pati te ajo dhe fëmijët zhdukja e bashkëshortit të saj gjatë luftës së fundit në Kosovë.