Për herë të parë pas marrjes së detyrës si ministër i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu ka vizituar Kosovën ku është pritur paraprakisht nga kryeministri, Albin Kurti, pastaj nga homologu i tij, Ejup Maqedonci. Dy ministrat shqiptar pas takimit kanë thënë se janë akorduar të rrisin bashkëpunimin në luftën globale kundër kërcënimeve të vazhdueshme që cënojnë sigurinë kështu duke rritur edhe kapacitetet ushtarake. Ministri Pirro Vengo ka thënë se Shqipëria me kërkesë të NATO-s ka dërguar trupa shtesë në Kosovë, për çka theksoi se janë të gatshëm për të dërguar përsëri trupa shtesë.
Për herë të parë zbarkoi në shtetin fqinjë.
Në orët e para të mëngjesit, ministri i Mbrotjes së Shqipërisë, Pirro Vengu pas marrjes së detyrës në krye të këtij dikasteri, erdhi për vizitë në Kosovë.
I pari i ministrisë së mbrojtjes shqiptare takimet i filloi me kryeministrin Albin Kurti, pastaj duke vazhduar me homologun e tij, Ejup Maqedonci.
Atje u prit me ceremoni shtetërore e me takime tet-a-tet.
Pas përfundimit të takimeve, në konferencë për media, ministri Maqedonci tha se u diskutua rritja e kapaciteteve ushtarake dhe një sërë marrëveshjesh midis dy vendeve, gjithashtu me synimin për anëtarësim në NATO.
“Vlerësuam gjatë diskutimeve tona që ka mundësi për thellim të bashkëpunimit, sidomos në fushën e trajnimeve, në fushën e operacionalitetit por gjithashtu edhe në zgjerimin e këtij bashkëpunimi në industrinë ushtarake që është një element i ri që po paraqitet si nevojë dhe po zhvillohet edhe në Republikën e Shqipërisë por është iniciuar edhe në Republikën tonë. Këtu nga ndërtesa e Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, dua të ju bëjë të qartë të gjithë atyre akterëve dhe forcave që kanë mëdyshje se ne me Republikën e Shqipërisë, me ushtrinë shqiptare, jemi, kemi qenë dhe bashkëpunojmë në vazhdimësi për tu përballur me çdo sfidë, çdo rrezik dhe kërcënim që synon të cenoj trashëgiminë, vlerat dhe sigurinë tonë të përbashkët”, ka thënë Maqedonci.
E ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, tha se janë pajtuar që bashkërisht me trupat e FSK-së të jenë të gatshëm në çminimin e zonave malore por dhe në aspekte tjera ushtarake.
“Kemi dakordësuar një sërë përparësish që kanë të bëjnë me rritjen e kapaciteteve, investimin në kapitalin njerëzor, keni në dispozicion pa dyshim të gjitha instrumentat e Forcave të Armatosura që nga akademia si të gjithë instrumentët, institutet, në mënyrë që FSK të ketë të gjithë spektrin e sigurisë në vëmendje të trajnimit të forcave apo personelit tuaj.”, deklaroi Vengu.
Vengu është pyetur edhe për rritjen e trupave ushtarake të Shqipërisë në Kosovë, për çka tha se nuk do të ketë asnjë hezitim.
“Ne kemi shtuar çka është e vërteta trupa nga rritja e gatishmërisë së fundit në kuadër të aleancës. Është një komandim i përbashkët dhe në kuadër të komandimit të përbashkët ka një rishikim periodik që i bëhet situatës së sigurisë dhe në varësi të leximit të përbashkët që do të bëjë aleanca, pa dyshim edhe Shqipëria do t’i bashkëngjitet nëse është nevoja. Për momentin leximi i situatës është ai që ka siguruar forcat shtesë. Ne jemi në gatishmëri, nuk ka asnjë rezervë në këtë pikëpamje.”, ka thënë Vengu.
Pas përfundimit të takimit, ministri Vengu la një koment kujtimi në Librin e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës.