Ish-kryenegociatori për dialogun Kosovë-Serbi, Avni Arifi ka deklaruar se Ura mbi lumin Ibër duhet të hapet.
Por, se thotë se janë disa procedura që është dashur të ndiqen nga Qeveria, por se kjo e fundit nuk ka vepruar në këtë drejtim.
Arifi në një intervistë për KosovaPress, shton se Ura mbi lumin Ibër duhet të hapet në koordinim me aleatët, derisa shprehet se nuk është në interes të Kosovës konfrontimi me NATO-n.
“Natyrisht që duhet të hapet ura, mirëpo janë disa procedura të cilat Qeveria jonë nuk i ka ndjekë do të thotë komunikimi, posaçërisht me komandantin e KFOR-it, është shndërru kjo si një temë elektorale, qëllime elektorale, qëllime të brendshme politike dhe tash kemi një konfrontim me KFOR-in dhe nuk besoj që për një kohë të caktuar do të kemi hapje të urës….Natyrisht me koordinim sepse ajo urë nuk është si urat e Saradranit që është urë e thjeshtë, ka një domethënie politike, ka një domethënie të rëndësishme të sigurisë nga perspektiva e NATO-s dhe perspektiva e KFOR-it dhe ajo ka qenë faktikisht nën komandën e drejtpërdrejtë të komandantit të KFOR-it dhe kjo ka qenë një temë që është dashtë vetëm në nivel të komandantit të KFOR-it faktikisht larg mediave, larg opinionit publik me u diskutua dhe gradualisht me u hap….Nuk besoj se kjo i shërben Kosovës dhe nuk besoj që është në interes të Kosovës konfrontimi me NATO-n, konfrontimi me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sa i përket Kosovës nuk është në interes të Kosovës dhe nuk i shërben Kosovës dhe e dëmton rëndë Kosovën”, ka thënë Arifi.
Arifi ka thënë se për Urën e Ibrit do të diskutohet prapë në Bruksel, për çka shton se kjo po ndodhë për shkak të Qeverisë së Kosovës.
E ky gabim i Qeverisë sipas Arifit, ka bërë që për hapjen e Urës mbi lumin Ibër të diskutohet prapë dhe të arrihet një aprovim nga të tria palët në Bruksel.
“Është e paimagjinueshme një tendencë e Qeverisë së Kosovës me forcë me hap, do të kthehet, do të diskutohet në Bruksel për temën e urës me gjithë rezistencën, me gjithë padrejtësinë që po bëhet, prapë sigurtë do të jetë temë e bisedimeve në Bruksel….”, ka shtuar ish-kryenegociatori Arifi.
Ditëve të fundit zyrtarët qeveritarë kanë thelluar polemikat me ndërmjetësin evropian të dialogut Miroslav Lajçak lidhur me mospajtimet për hapjen e Urës mbi lumin Ibër. Nga pala kosovare po thonë që Bashkimi Evropian ka ndryshuar qëndrim për këtë temë, derisa ndërmjetësi Lajçak ka thënë se këto deklarata janë çorientuese.
Lidhur me këtë ish-kryenegociatori Arifi thotë se kontributi i Lajçakut tashmë dihet, por se këto polemika nuk i ndihmojnë Kosovës.
Kurse, sa i përket ecurisë së dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë, ish-kryenegociatori Avni Arifi, ka thënë se dialogu është në gjendje kome.
“Është në gjendje kome, nuk do të ndodhë asgjë dhe shpresoj që nuk do të vijnë ata me ndonjë iniciativë sepse çfarëdo iniciative që sjellë sot Lajçaku, Kurti do të përpiqet që ta përdorë për blerje të votave dhe kësisoj pa marrë parasysh se a do të dëmtohet Kosova apo jo. Fatmirësisht, kemi zgjedhje në Amerikë, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresoj që nuk do të jenë shumë të përkushtuara që të ketë një shtyrje, Lajçaku është i përkohshëm pra deri në janar, shpresoj që deri në janar kur dhe do të kemi zgjedhje nacionale të mos ketë ndonjë iniciativë nga BE sepse përgjigja e Kosovës dihet çfarë do të jetë. Do të jetë populiste, e dëmshme për Kosovën por në shërbim të mbledhjes së votës për Kurtin dhe partinë e tij. Shpresoj që nuk do të ndodhë ajo”, është shprehur Arifi.