Sadiku tha se Qeveria Kurti nuk ka arsye që të frikësohet nga hyrja në këtë dialog.
I ftuar në emisionin “Ditari”, në Tëvë1, Sadiku tha se kryeministri Kurti duhet të jetë më mirë i pozicionuar karshi Serbisë duke e pasur edhe mbështetjen e aleatëve ndërkombëtar.
“As kjo qeveri, sikurse qeveritë tjera nuk ka arsye që të frikësohet nga hyrja në dialog me Serbinë, pasi që siç e dini Kosova ka pasur problem edhe në pjesën Veriore të saj dhe atje me dialog me Serbinë dhe duke qenë e ndërmjetësuar nga SHBA-ja dhe BE-ja është arritur që ajo “status quo” të ndryshohet dhe struktura paralele të shfuqizohet dhe të futen gradualisht brenda institucioneve të Kosovës. Prandaj është koha që Kurti të jetë më i pozicionuar mirë karshi Serbisë duke pasur mbështetjen e miqve dhe aleatëve të Kosovës siç janë SHBA-ja, Gjermania dhe disa vende tjera të fuqishme në Bashkimin Evropian”, tha Sadiku.
Ai më tej shtoi që është koha e duhur që të nis dialogu veçanërisht tash pas skadimit të marrëveshjes për targat e veturave dhe pas moslejimit të mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës.
“Është koha që të nis dialogu Kosovë –Serbi veçanërisht pas skadimit të afatit të marrëveshjes që ka qenë për targat e veturave dhe kryesisht edhe çështjet e tjera që lidhen me dialogun, roli i Kosovës që mund të jetë për aplikim në organizatat ndërkombëtare siç është Këshilli i Evropës, NATO dhe disa organizata të tjera”, u shpreh Sadiku në emisionin Ditari në Tëvë1.
Ndërkaq, duke folur për takimet e krerëve shtetërorë me ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe vizitën e Ndihmës Sekretares së Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike të SHBA-së, Karen Donfried dhe të dërguarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, Sadiku tha se mund të ketë presion për disa çështje.
“Mesazhi për Kosovën do të jetë që të vazhdojë me tej dialogu Kosovë- Serbi dhe veçanërisht të gjendet një modalitet për zbatimin e marrëveshjes për targat dhe kryesisht edhe njëfarë forme temë e debatit do të jenë edhe zgjedhjet e fundit serbe të cilat nuk janë lejuar të mbahen në Kosovë dhe sigurisht për këtë do ta arsyetoj qeveria Kurti por do të ketë presion edhe nga amerikanët dhe bashkësia ndërkombëtare lidhur me këtë”.