“A ke punu në furrë a çka osht puna se i kishe do orë të furraxhisë. Nuk mun um kap ti mu, kurrë s’un um kap, o ministër i punëve të kota.”
U paraqit virtualisht për të dytën herë prej se u arratis.
I burgosuri Faton Hajrizi përmes rrjetit social “TikTok” i çoi “selam” ministrit të punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ai tha se ky i fundit nuk e ka fuqinë që t’a arrestojë atë, duke lënë të nënkuptohet se i njëjti nuk do të dorëzohet para organeve të sigurisë.
“Ata të cilët um kishin kap, edhe me marrëveshje, jon në Hagë atje, që ua kisha ngu hatrin, jo lepurushat e Vetëvendosjes. Ju njohim mirë kush jeni. Sa për ty, vi midis Prishtinës dhe s’guxon me m’dalë hiç, po i shtin qata burra Njësi Speciale jau then krytë”, tha Faton Hajrizi.
E për mundësinë e lehtë të ikjes së tij nga burgu i Smrekonicës një ish i burgosur aty thotë se mundësitë janë shumë të lehta për arratisje.
Gani Geci në tëvë1 deklaroi se ka padrejtësi për lirimin me kusht aty, ku shtoi se ekziston një rregullore që nuk mbështetet në ligj.
“Ka padrejtësi shumë të mëdha rreth kushtit, të burgosurit me ligj që i plotësojnë kushtet dhe që s’kanë bë asnjë vërejtje s’kanë gjatë ekzekutimit të vuajtjes së dënimit nuk lirohen me kusht as herën e parë, as herën e dytë, tek herën e tretë apo të katërtën, ka të burgosur që edhe katër apo pesë herë iu ka refuzu kushti dmth që e ka pasë të drejtën”, tha ish- i burgosuri në Burgun e Smrekonicës, Gani Geci.
Njëjtë si Hajrizi, nga Policia e Kosovës po kërkohen edhe tre persona tjerë që konsiderohen me rrezikshmëri të lartë e që akuzohen për vepra të rënda penale si vrasje.
Ish-shefi i krimeve të rënda në këtë institucion, tregon se të njëjtit dyshohet që janë jashtë shtetit, dhe kështu janë disa procedura deri në arrestimin e tyre.
“Kjo varet nga informatat që ka Policia e Kosovës, shërbimi inteligjent i Kosovës, AKI, etj. Dmth të gjithë mekanizmat duhet të jenë në shërbim të informatave më të sakta për vendodhjen e këtyre personave për arsye se këta mund të jenë të rrezikshëm për mesin ku jetojnë dhe veprojnë edhe për format tjera të aktiviteteve kriminale të cilat mund t’i kryejnë nëse janë edhe brenda Kosovës edhe jashtë”, tha ish-shefi i hetimeve të krimeve të rënda, Refki Morina.
Derisa bën apel që të njëjtit të dorëzohen vet para drejtësisë në mënyrë që të marrin dënime më të ulëta.
“Është më lehtë për ta edhe procedurat edhe gjykatat, masat do të jenë më të lehta për ta për arsye se çdo arratisje çdo ikje nga burgu ose nga procedurat penale është një element shtesë, një rëndim për ta në procesin gjyqësor”, tha ai.
Ministri Sveçla, një ditë pas arratisjes së Hajrizit, pati deklaruar që është çështje orësh kapja e tij, mirëpo janë bërë gati një javë dhe ende nuk dihet se a është duke u hetuar vendndodhja e tij.