Temperaturat janë rritur.
E bashkë me to, edhe ankesat e qytetarëve nga të nxehtit.
Nga ky mot, më së shumti po e pësojnë të moshuarit e personat me probleme kronike.
Mursel Hoti, është njëri nga qytetarët që erdhi për tu kontrolluar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë si shkak i temperaturave të larta.
“Nxehtësia e madhe e pak po na mundon normal veç po duhet me u ruajt. Doktoresha tha ruajuni mos dilni ju të moshuarit mos me dal por vetëm në mëngjes dhe në mbrëmje”, thotë qytetari Mursel Hoti.
E Drita Shahini është e vetëdijshme për rrezikun që mund të paraqesin temperaturat e larta.
“Jo nuk kemi ardh me marrë këshilla, vazhdimisht si fëmijët si të rriturit i mbajmë brenda që me u fresku ose ujë sa ma shumë edhe tjetër diçka jo”, thotë ajo.
Në lidhje me këtë çështje, foli edhe Doktoresha e QKMF-së, Ajtene Islami.
Ajo tregoi se cila është koha e përshtatshme për ekspozim ndaj këtyre temperaturave.
“Njerëzit paraqiten me lodhje, mundim, kokëdhimbje, djersitje deri te alivanosja. Personat të cilët preken më së shumti prej temperaturave të larta janë fëmijët e vegjël të cilët ekspozohen kohë pas kohe dhe në mesditë në temperatura të larta, pleqtë mandej ata me sëmundje kronike. Këshilla është mos ti ekspozohen këtyre temperaturave mundësisht prej orës 10 deri në ora 16”, thotë Ajtene Islami- doktoreshë në QKMF në Prishtinë.
Islami foli edhe për punëtorët të cilët punojnë në ndërtimtari, të cilët janë më së shumti të ekspozuar gjatë pikut të të nxehtit.
Duhet me pas kujdes edhe ata të cilët punojnë dhe duhet të dalin jashtë dhe në lartësi të mëdha në ndërtesa, atëherë ata duhet me pas veshje adekuate që i rezistojnë nxehtësisë dhe kapela mbrojtëse”, ka treguar ajo.
“Fikni sa më shumë pajisje elektrike”, “Pini ujë rregullisht”, “Mos e mbuloni kurrë një karrocë fëmijësh me pëlhurë të thatë”, janë disa prej këshillave dhe rekomandimeve që jep edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës në baza ditore në këto ditë të nxehta vere.
Aktualisht Kosova është në dritën e verdhë sa i përket këtyre vlerave të larta të temperaturave.
Madje, sipas Instituti Hidrometeorologjik në ditët vijuese kjo situatë meteorologjike mund të krijoj kushte edhe për alarm të kuq,sepse temperatura e ajrit kur kalon më e lartë se temperatura e trupit të njeriut {37C}, atëherë mund të shkaktojë probleme serioze në organizmin e njeriut.