Në një pikë karburanti në qendër të Fushë Kosovës, po furnizohet me naftë.
E 10 euro është çmimi që paguajti për të mbushur pak litra karburant.
Por ndonëse bëri pagesë si zakonisht, qytetari u furnizua me më pak naftë se javën e kaluar.
Kjo për shkak të rritjes së çmimit të tyre në Kosovë.
E për këtë, ai ndihet i shqetësuar.
“Kemi çmime të cilat ndryshojnë prej inës në inë, kjo po m’duket jashtë normale. Është mizerie për popullatën e Kosovës të cilët po i ndjekin pompat e naftës ose të benzinës ku është çmimi më i volitshëm”, thotë ky qyetar.
Edhe mërgimtarët e kanë vërejtur rritjen e çmimit të naftës.
“Jetoj në Zvicër po këtu çmimet katastrofë janë për mendim timin. Në përgjithësi edhe për këta këtu edhe për neve, pse vijmë çka ka gajle, pse me i hypë çmimet?”, thotë mërgimtarja Shkurte Maqedonci.
Pikërisht ardhja e tyre, sipas ish-ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Ismet Mulaj është arsyeja e rritjes së këtyre çmimeve.
“Gjatë kësaj jave kemi pasur një rritje të çmimit të naftës për 3 deri në 5 cent për litër naftë edhe realisht është një rritje e pajustifikueshme. Kanë fillu dmth tregtarët me i rritë çmimet duke e ditur se konsumi është shumë më i madh për shkak se vijnë diaspora në Kosovë”, ka thënë ish-ministri..
Por këtë e mohon Shoqata e Naftëtarëve.
“Prej muajit maj përafërsisht deri sot ka ndryshime të çmimit plus minus 2 deri në cent. Me çmime jemi më të lirët në regjion. Çmimi real për qytetarin tonë kishte me qenë 1 euro, por këtë e përcakton Berza dhe Organizata Prodhuese OPEK. Në qoftë se çmimet ju duken të larta, lus qytetarët që ta përdorin transportin publik. Po me qenë nafta shtrenjtë nuk kemi tollovi në hyrje dhe në dalje të Prishtinës”, thotë Fadil Bernjani, kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve.
Sipas Shoqatës së Naftëtarëve, në Kosovë çmimet përafërsisht janë: Dizelli 1.27 deri 1.37 cent, Benzina 1.31 deri 1.36 cent.