Është shteti i njëmbëdhjetë që njohu pavarësinë e Kosovës.
Por u deshën mbi 14 vite që një president letonez ta vizitojë vendin.
Me ç’rast u organizua ceremoni e lartë shtetërore, ku presidentja Vjosa Osmani priti, homologun e saj, Egils Levits.
Ky i fundit, premtoi mbështetje për Kosovën në anëtarësimin në NATO dhe Këshill të Evropës.
“Si hap i parë së paku është e domosdoshme që Kosova t’i bashkohet partneritetit për paqe dhe mendoj se tani është koha e duhur për të bërë këtë hap të mirë. Është shumë e rëndësishme që fuqizohet bashkëpunimi për kyçje të Kosovës në NATO. Është e domosdoshme po ashtu që të integrohet Kosova në organizata ndërkombëtare dhe forume. Po e përmendi këtu para se gjithash Këshillin e Evropës, i cili është një organizatë e shteteve të demokratike që bazohen në sundimin e ligjit. Kjo do të thotë se Kosova i përket familjes dhe Këshillit të Evropës, pasi është një shtet demokratik që bazohet në sundim të ligjit”, tha Levits.
Pengesë për këto integrime, presidenti letonez nuk e sheh dialogun e Kosovës me Serbinë.
“Nëse nuk kemi një progres të madh nuk duhet të jetë pengesë për Kosovën në drejtimin dhe raportet e tjera. Prandaj dialogu është i rëndësishëm, por nëse nuk ka progres duhet shohin mënyrat se si Kosova të integrohet më tutje në kornizat evropiane”, shtoi ai.
E Osmani, potencoi se bashkëpunimi mes vendeve do të mundësonte edhe përballimin e rreziqeve të mundshme nga Rusia e Serbia.
Presidenti i Letonisë së bashku me delegacionin e tij, zhvilloi takime edhe me kryeparlamentarin, Glauk Konjufca e kryeministrin, Albin Kurti.
Raporti i gazetares Florijeta Dernjani.