Të dielën festohet Kurban Bajrami.
E në nder të kësaj feste, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava përcolli një mesazh urimi.
Në fjalën e tij të shtunën, myftiu Tërnava uroi myslimanët në mbarë botën.
Duke theksuar rëndësinë e kësaj dite madhështore për shoqërinë dhe familjet kosovare, ai uroi për harmoninë dhe gëzimin që festa sjell në mesin e besimtarëve.
“Nesër është dita e Kurban Bajramit, ditë feste për besimtarët myslimanë në të gjithë botën…Më lejoni që në emër të Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim si Myfti i Republikës, t’ju uroj për këtë festë, e cila karakterizohet me kryerjen e haxhit dhe sakrificës së kurbanit, për t’iu afruar kështu edhe më afër mëshirës së pafund të Zotit xh.sh”, tha ai.
Myftiu tha se edhe haxhilerët nga Kosova dhe mërgata të cilët gjenden në Mekë, po luten për besimtarët myslimanë.
Teksa bëri thirrje për promovimin e paqes, përhapjen e vëllazërisë dhe tolerancës.
“Së bashku me miliona haxhilerë nga e mbarë bota, të cilët sot gjenden në Mekën e shenjtë janë edhe një numër i konsiderueshëm nga Kosova por edhe nga mërgata e largët të cilët bëjnë lutje për faljen e mëkateve. Festat tona fetare duhet të shfrytëzohen për të sjell lumturi dhe gëzim në zemrat e atyre që kanë nevojë”.
Gjatë fjalimit, Myftiu bëri thirrje edhe për rikthimin e paqes në rajonin e Palestinës dhe Ukrainës.
“Andaj, me këtë rast, lus Zotin e Madhëruar që të na mbulojë me paqen, bekimin dhe mëshirën e kësaj dite të bekuar! T’i falë vendit tonë dhe mbarë botës mirësi, begati, siguri dhe stabilitet, e në veçanti të lutemi o Zot që paqja të rikthehet edhe në Palestinë dhe Ukrainë”.
Manifestimi qendror kushtuar festës së Kurban Bajramit, mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë.