Janë mbledhur afër objektit të xhamisë që është në ndërtim e sipër në Shkabaj të Prishtinës.
Kjo pasi këta banorë, po kundërshtojnë rrënimin e saj.
Në këtë mënyrë, inspektorët komunalë hasën në rezistencë.
Banori i këtij fshati, Sokol Sallahu bëri të ditur për televizionin arsyen e kundërshtimit.
Ne kemi filluar një xhami më 31 dhjetor të 2023. E kemi filluar pas 15 vjetësh pritje të përgjigjes së Komunës së Prishtinës, të gjithë kryetarët kanë thënë se do të bëjnë zgjidhje por nuk kanë bërë. Prona ku ne e kemi nisur xhaminë është pronë e AKP-së dhe na kanë premtu që do ta bëjnë shpejtë shpronësimin e kësaj parcele dhe do të jepet leja. Nuk na kanë bërë por në një lloj mënyrë, vazhdoni punoni”, ka thënë ai.
Me ardhjen e Policisë së Kosovës, gjendja u tensionua.
Madje banorëve iu hodh edhe sprej në trup.
“Ka ardhur Policia me njësi speciale si me patur një aksion kumedit se çfarë edhe i kanë vendosur shiritat rreth xhamisë. Një banor i fshatit ka qendru mbi xhami dhe ka thënë unë sa të jem këtu nuk do të rrënoni. Por shyqyr nuk eskaloi shumë situata. Ne i kaluam shiritat përdorën sprej, faktikisht mu sprejin ma kanë hedhur 2 metra larg shiritit, pa e dëmtu shiritin gjë që nuk ua pata borxh”
E sipas një banori tjetër, shumë qytetarë kanë mbetur pa bukë, për të dhënë para për këtë xhami.
“Asnjë lloj dëmi nuk është bërë, mirë është bërë, ata e kanë kryer punën e vet na tonën. Na për jetë nuk e ndalim punën. Dikush dikush u mbet pa bukë e ka dhënë para për këtë vend me ble material”, ka thënë Hajrullah Osmani, banor i fshatit.
Për shkak të pengimit të zyrtarëve komunalë, një person është shoqëruar në stacion policor.
“Sa i përket pjesës policore për shkak të pengimit të zyrtarëve të komunës, një person është shoqëruar në stacion policor dhe i është shqiptuar gjobë për prishje të rendit dhe qetësisë publike”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Televizioni ka dërguar pyetje edhe tek Drejtoria e Inspekcionit në Komunën e Prishtinës, por deri në publikimin e kësaj kronike, nuk ka marrë përgjigje.
Inspektorët komunalë kanë tentuar ta rrënojnë këtë xhami edhe para gjashtë ditësh, mirëpo ishin penguar në të njëjtën mënyrë nga qytetarët.