Paritë opozitare vazhdojnë të kenë dallime sa i përket mënyrës së shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, pavarësisht se të gjitha shprehen se vendi ka nevojë për një qeverisje të re.
Partia Demokratike e Kosovës, po e përkrahë propozimin e kryeministrit Kurti që për zgjedhje të reja duhet të shpërndahet Kuvendi, kurse LDK e AAK po kërkojnë që Kurti të jap dorëheqje.
Abelard Tahiri shef i Grupit Parlamentar të PDK-së, të hënën tha se mosmbajtja e zgjedhjeve të parakohshme do të jetë e dëmshme për vendin.
Ai ka thënë se do të vazhdojnë konsultimet që të arrijnë afatin kohor kushtetues për shpërndarjen e Kuvendit, që zgjedhjet të mbahen në fund të qershori apo në fillimin e korrikut.
“Mosmbajtja e zgjedhjeve të parakohshme, këtë rast mos shpërndarja e Kuvendit do të jetë një dëm që do t’i bëhet vendit tonë në raport me këtë qeverisje jashtëzakonisht të dobët qe e kemi. Kanë mbetur edhe dy ditë të hapura kushtetuese që vendit t’i mundësohet që zgjedhjet të mbahen më 30 qershor ose 7 korrik. Do t’i vazhdojmë konsultimet tona deri në ditët e fundit që të hapet mundësia për zgjedhje të reja”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, përcjell teve1.info.
Ndërsa, Arben Gashi shef i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka thënë se rruga për zgjedhje të reja është dorëheqja e kryeministrit.
“Sa i përket zgjedhjeve është një zgjidhje, kryeministri duhet të jap dorëheqje, që vendi të shkojë në zgjedhje.Koha për të kapur mundësinë e zgjedhjeve në javën e parë të korrikut është në momentet e fundit”, u shpreh Gashi.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kërkon dorëheqjen e kryeministrit për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të reja.
Besnik Tahiri shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, tha se kjo pari nuk pranon kushtëzime.
“Kapitullimi i kësaj qeverie duhet të ndodhë me dorëheqjen e kryeministrit”, tha Tahiri.
Grupi Paralamnetar i VV-së është shprehur i gatshëm për të votuar shpërndarjen e Kuvendit nëse opozita ka koordinim mes vete, pro ata kanë thënë se nuk përkrahin mocion e mosbesimit ndaj Qeverisë duke thënë se nuk shohin arsye për një gjë të tillë./teve1.info/