Qeverinë aktuale të Kosovës, analistët e përshkruajnë me një notë kaluese shumë të dobët, pa një program të qartë, objektivë dhe fokus.
Sipas analistëve, kryeministri Kurti më shumë se shkuarja në zgjedhje, i intereson përçarja e opozitës në mënyrë që të mos ketë një frymë të fuqishme e cila do ta dëmtonte në kuptim të numrave.
Ndërsa, rreth qasjes së opozitës për zgjedhje, ata e komentojnë se ka filluar të shkojë në drejtim të gabuar, sepse në vend që të sulmojë dhe kritikojë për të rrëzuar qeverinë si zakonisht, tashmë ka filluar një luftë e brendshme ndërmjet opozitës duke kritikuar njëra-tjetrën se po i bënë favore pushtetit.
Sipas analistit e profesorit universitar, Rrahman Paçarizi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me një veprim finok ka arritur që ta orientojë energjinë e opozitës në një luftë të brendshme ndërmjet vete në vend se ajo luftë të bëhej kundër Qeverisë.
Ndërsa, analisti tjetër politik, Dritëro Arifi, ka thënë për KP se opozita përveç deklaratave në rrjete sociale dhe konferencë për shtyp nuk ka pasur ndonjë lëvizje tjetër më serioze për ta lëkundur pozitën e qeverisë.
“Fjala dështim është fjalë shumë e rëndë por mund të themi se ka një notë kaluese shumë të dobët, kështu e kisha përshkruar Qeverinë Kurti, pa një program të qartë pa një objektiv dhe fokus dhe po vërehet se projektet e mëdha nuk i kemi parë dhe jam i bindur që nuk do ti shohim deri në fund të këtij mandati që kanë mbetur maksimumi dhe gjashtë muaj”, ka shtuar Arifi.
Tema e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë është riaktualizuar pas takimit në mes kryeministrit Albin Kurti dhe kreut të PDK-së, Memli Krasniqi, takim ky që ndodhi pas ftesës së shefit të ekzekutivit ndaj krerëve të partive opozitare, por që u refuzua nga LDK e AAK.
Krasniqi, i cili ishte i vetmi nga opozita që iu përgjigj ftesës së Kurtit për të diskutuar agjendën legjislative, kishte thënë se zgjedhjet janë të domosdoshme.
Ai tha se PDK-ja është e gatshme të gjejë dakordim me të gjitha partitë parlamentare për të shpërndarë Kuvendin “përmes një mocioni të përbashkët”.
Ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes një komunikate për media, të lëshuar më 14 maj, kishte thënë se nuk do të bëhet pjesë e asnjë “marrëveshjeje të pre-aranzhuar prapa dyerve të mbyllura e darkave”.
Dorëheqjen apo shkarkimin e kryeministrit Kurti e kërkoi edhe partia tjetër në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Data për mbajtjen e zgjedhjeve caktohet nga presidentja e vendit, pas konsultimeve me partitë politike. Kjo ndodh pasi të shpërndahet Kuvendi.
Në bazë të kalendarit zgjedhor zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të duhej të mbaheshin në vitin 2025.