Trotuari në Gjilan, po bllokohet çdo ditë, kjo pasi këta kamionë, po qëndrojnë në këtë pjesë me orë të tëra, shkak i furnizimit të biznesit aty pranë.
Edhe pse në fillim të rrugës, shenja informon se lejohen automjetet deri në 3.5 tonë.
E ky veprim po u pengon më së shumti banorëve që jetojnë në këtë lagje në qytetin e Gjilanit.
Njëri ndër ta është edhe Visar Alidemaj.
“Mbi 5 vite edhe prej qeverisjes së kaluar që është ndërtuar kjo qendër tregtare, ne nuk kemi kundër kësaj qendre tregtare asgjë por është problemi që gjithë kohës jemi të bllokuar dhe nuk mundemi mu kyq në rrugë nuk mundemi me dal, as fëmija me shku në shkollë as, nonstop është rruga e bllokuar prej të hënës deri të shtunën nga ora 7 e mëngjesit deri në ora 17”, tha qytetari Visar Alidemaj.
Alidemaj thotë se ankesë për këtë kanë deponuar në të gjitha institucionet përkatëse në Komunë, por se nuk është ndërmarrë asgjë.
E nga Drejtoria e Shërbimeve Publike treguan orarin e qarkullimit në qytet të kamionëve që furnizojnë bizneset.
“Gjatë sezonës së verës të gjitha automjetet deri në 3.5 tonë që përfshihen kombi-busët ose furnitorët duhet ti furnizojnë të gjitha lokalet prej orës 06:00 deri në ora 11:00”, tha drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mentor Mihovci.
Të gjitha automjetet që hynë në qytet që janë me mbi 3.5 tonë, duhet të pajisen me leje.
E për këto automjete, drejtori ka dyshime, pasi thotë se kërkesat për pajisje janë të pakta.
“Zakonisht ka shumë pak kërkesa për tu pajisur me leje gjë që i bie që organet e rendit duhet të shohin se këto automjete a kanë leje për të hyrë në qytet”, tha Mihovci.
Për këtë çështje, televizioni kontaktoi edhe Policinë e Kosovës në Komunën e Gjilanit.
Të njëjtit thanë se do të marrin masa nëse këto automjete nuk janë të pajisura me leje përkatëse për qarkullim.
Unë nuk kam informatë të saktë megjithatë patrullat tona kanë dalë në vendin e ngjarjes me verifiku saktë dhe me ditë a kanë leje përkatëse për bllokime të tilla, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Edhe pse orari është i caktuar, këta kamionë vazhdojnë të qëndrojnë gjatë gjithë ditës para bizneseve të ndryshme.