INPO reagon kundër praktikave të disa institucioneve publike që me paranë publike promovojnë kasta të ndryshme politike dhe individë, sikurse Komuna e Vushtrrisë, e cila ka hapur tender për promovimin e qeverisjes komunale.
Në kuadër të monitorimit sistematik të prokurimit publik, INPO ka njoftuar se ka gjetur se Komuna e Vushtrrisë ka shpallur tenderin me titull “Shërbime mediale për aktivitete të Komunës Vushtrri-Ri tenderim”, me numër të prokurimit 644-22-3067-2-2-1 dhe vlerë të parashikuar 10,580 euro.
“INPO ka analizuar dokumentet e tenderit dhe vlerëson se shërbimet e kërkuara për kontraktim, janë shërbime audio-vizuele për promovimin e qeverisjes komunale dhe në asnjë formë nuk i shërben interesit qytetarë dhe objektivave zhvillimore të komunës. Në dosjen e tenderit përveç tjerash është kërkuar “Përgatitja e videove promocionale: Do të përgatitet video promocionale që përcakton zyra e informimit, për një projekt apo punë e cila ka përfunduar, duke cekur statistika të ndryshme (05-20 minuta) dhe intervistë me kryetarin e komunës, me kërkesë të zyrës së informimit caktohet data dhe vendi i intervistës me kryetarin e komunës (05-15 minuta)”, thuhet në njoftimin e Iniciativa për Progres, transmeton teve1.info.
Në këtë drejtim, INPO ka shprehur shqetësim edhe për mënyrën e hartimit të termave të referencës në dosjen e tenderit e cila është jashtë çdo standardi profesional si dhe përdorimin e kriterit “çmimi më i ulët me peshim të çmimit” për këtë tender.
INPO vlerëson se shërbimet mediale janë lehtësisht të matshme dhe të kalkulueshme, dhe nuk ka pasur nevojë të përdorej kriteri “çmimi më i ulët me peshim të çmimit”, i cili mundëson porositjen e një shërbimi deri në përfundimin e shumës kontraktuale, dhe është argumentuar shumë herë se ky kriter po keqpërdoret nga ana e institucioneve publike.
“INPO i bën me dije Komunës së Vushtrrisë se implementimi i projekteve dhe qeverisja e mirë janë obligime fundamentale të organeve të komunës dhe nuk ka nevojë që për qëllime të promovimit të shpenzohet buxheti i komunës edhe ashtu i varfër karshi nevojave të qytetarëve. Promovimi më i mirë dhe krijimi i marrëdhënieve të mira me publikun dhe qytetarët është qeverisja e mirë, shpenzimi racional i parasë publike dhe përmirësimi i jetës së qytetarëve.
Andaj, shpenzimi i parasë publike me qëllim të promovimit të kastave politike dhe individëve të caktuar është keqpërdorim i parasë publike dhe shkelje e parimeve të qeverisjes së mire”, thuhet tutje në komunikatë.
Me këtë rast INPO i ka bërë thirrje kryetarit të Komunës së Vushtrrisë dhe zyrtarit përgjegjës të prokurimit që këtë tender ta anulojnë.