Një e nga një po dalin prej testit.
Kjo pasi secili është zgjedhur që të marrë pjesë në lëndën që është më i suksesshëm në “ Garat e Diturisë Prishtina 2024”.
Me sukses mendon që e ka kaluar Eriona Hoti.
Ajo garoj në lëndën e gjuhës angleze.
“Njëherë mendova që ka me pasë pyetje shumë të vështira por kur hyra ishin shumë të lehta edhe mu dok që këto pyetje nuk i kam parë asnjëherë edhe shpresoj që e kam kalu se shumë e lehtë”, tha ajo.
Si njohës i mirë i gjeografisë, për Drin Krasniqin testi nuk ishte i vështirë.
“Testi nuk ishte shumë i vështirë, kisha thënë nëse je përgatit mjaft për të besoj që ka qenë mjaft i lehtë por normal është test që bazohesh prej aftësive tua”, tha ai.
Sipas Drin Krasniqi, kishte edhe pyetje që ai nuk e mendonte që do të jenë në gara kombëtare.
“Kosova ndahet në dy pjesë dmth kryesore edhe aty edhe në hartë e kanë paraqit në cilat pjesë ka qenë vetëm pjesa lindore dhe perëndimore pra është pyetje që nuk e kam prit që del në test për gara kombëtare”, tha ai.
Por, drejtoresha e arsimit në Prishtinë, Jehona Lushaku – Sadriu nuk po mendon që detyrat kanë qenë aq të lehta.
“Këta janë nxënësit më elitarë të Prishtinës këta e dinë materien dmth është tepër mirë nëse ata e kanë zotëru këtë material. Kemi parë që nxënësit edhe pse që një orë ka filluar gara janë ende duke zgjedh detyrat nuk e besoj që kanë qenë më të lehtat e mundshme”, tha ajo.
Sadriu shkoj edhe gjatë momentit kur mbahej gara duke u interesuar nëse kishte ndonjë parregullsi.