Komuna e Drenasit po synon të jap për shfrytëzim disa prona publike. Por që nisma po kundërshtohet nga partitë opozitar.
Në listën preliminare është edhe çerdhja e vetme publike në këtë qytet.
E veç këtyre, objekti i vjetër i komunës, i cili në të njëjtën kohë shfrytëzohet si sallë e kulturës, po pret dritën e gjelbër për shpronësim nga kuvendi komunal.
Në po të njëjtën hapësirë pritet që të ndërtohet një objekt afarist banesor.
Mirëpo e gjithë kjo po kundërshtohet nga grupi i Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet.
“Ky objekt do të ipet për shfrytëzim afatgjatë për 99 vite për ndërtim të objektit afarist banesor. Llogaritne në katin e parë të ketë sallë të kulturës e në katet tjera të ketë banesa, sa është e përshtatshme kjo për një sallë kulture, e vetmja pra në qytet”, thotë Egzona Tërdevci nga LVV.
E gjithë kjo sipas Tërdevcit bëhet për shpërblim të biznesmenëve që i ndihmuan kryetarit Lladrovci gjatë fushatës.
“Komuna i jep këto prona me pretendimin se po e ndihmojnë zhvillimin ekonomik, por ne jemi të vetëdijshëm që asnjë nga pronat që janë dhënë në shfrytëzim afatgjatë nuk e kanë zhvillu aspak Drenasin, thjesht janë shfrytëzu si mekanizëm që kryetari aktual të rritë klientelën e vet e ndoshta edhe t’ua kthejë favoret biznesmenëve që i kanë ndihmuar gjatë fushatës”, thotë ajo.
Madje për votimin e kësaj pike, dyshohet se po blihet vota e asamblistëve të qytetit të Drenasit.
“Ndërtimi i lartë jepet vetëm për pazare politike dhe shpagim të borxheve politike, gjithashtu duke synuar që kuorumin, shumicën në asamble të krijohet artificialisht përmes blerjes së votës së asamblistëve, këtë e them publikisht”, thotë Arbër Halilaj, asamblist nga “Green për Drenasin”
Mirëpo të gjitha këto po i mohon kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci.
“Le të del një i vetëm asamblist që thotë se unë e kam thirr që t’i voton pronat ose i kam bërë presion, atëherë le të del, unë këtu jam. Pronat që i kemi në listë, ne mendojmë dhe besojmë që janë interes i publikut edhe i kemi çu për votim. Kjo është një listë preliminare, nuk ia dhamë askujt pronën, i hapëm rrugë zhvillimit të procedurave”, shprehet Lladrovci.
Kjo pikë e rendit të ditës në seancën e kuvendit komunal në Drenas nuk u votua në mungesë të kuorumit.