Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, është optimiste për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Pas votimit në Asamblenë Parlamentare, euro-deputetja gjermane, thotë se shpreson që të arrihet shumica e votave edhe në Komitetin e Ministrave të Punëve të Jashtme, në mbledhjen e muajit maj.
Megjithatë, ajo shton se disa shtete janë më kritike, pasi kërkojnë përparim në lidhje me themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Euro-deputetja gjermane në një intervistë për KP, kërkon nga Kosova dhe Serbia zbatimin pa kushte të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit. Sipas saj, Lista Serbe ka gabuar kur ka kërkuar bojkotimin e procesit të votimit të 21 prillit për shkarkimin e kryetarëve të katër komunave veriore, derisa thekson nevojën e largimit të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, pas përfundimit të këtij procesi.
“Me të vërtetë shpresoj se Kosova do të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur, kështu që shpresoj që të gjithë ata që mund të kontaktojnë kolegët, dhe këtë e bëmë shumë rregullisht me kolegët tanë në delegacionin gjerman, por unë shoh që duhet të ketë një mbështetje të madhe. Unë shoh që ata janë vërtet pro këtij anëtarësimi, shpresoj që të gjithë të tjerët që kanë interes për çështjet e Kosovës të bëjnë të njëjtën gjë”, thotë ajo.
Sipas saj, dialogu me Serbinë është vendimtar për zhvillimin e Kosovës dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Von Cramon nënvizon nevojën që të ketë progres më të shpejtë nga dy palët për zbatimin e ujdive të dakorduara.
Megjithatë, ajo kritikon Serbinë se nuk po bënë asnjë lëvizje për zbatimin e marrëveshjeve, përkundrazi po angazhon aktivisht që të shkel nenet e saj, derisa përmend angazhimin e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
“Unë do të shpresoja që të shohim përparim në lidhje me Asociacionin/Bashkësinë e komunave me shumicë serbe në Kosovë (ASM), por përndryshe, dua të them se të gjithë jemi të vetëdijshëm pse nuk po ecën përpara. Sepse Serbia nuk ka bërë asnjë lëvizje të vetme dhe, përkundrazi, ata madje po bllokojnë tani ose po përpiqen të bllokojnë, gjë që për të cilën nuk mendoj se do të ketë sukses, në aplikimin e Këshillit të Evropës dhe kjo është absolutisht e papranueshme”, thekson Von Cramon.
Duke folur për arsyet e dështimit të zbatimit të marrëveshjes së Brukselit dhe Ohrit, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian thotë se në rrethanat aktuale politike ka qenë e vështirë të arrihet diçka.
Siç thotë ajo nuk është faji i ndërmjetësit të BE-së, Miroslav Lajçak që nuk ka lëvizur asgjë në drejtim të zbatimit marrëveshjeve, pasi palët s’kanë vullnet politik për një gjë të tillë.
Megjithëse Serbia nuk po zbaton pjesën e saj të marrëveshjes, Von Cramon thotë se Kosova ka mundur të jetë më shumë pragmatike.
“Nëse flasim për masat dhe nëse flasim për atë që ndodhi më pas, tani jemi në një pikë ku do të thosha se duhet të heqim masat. Nuk ka më nevojë për masa kur pala kosovare ka bërë gjithçka që është kërkuar dhe unë do të thosha po, tani jemi gati”, thotë ajo.
Sa i përket zëvendësimit të Lajçak në pozitën e ndërmjetësit të dialogut, Von Cramon thotë se është një person në përgatitje, që e njeh rajonin dhe që nuk është lehtë i ndikueshëm nga asnjëra palë.