I mbushur me qytetarë ishte tregu në kryeqytet në prag të festës së Fitër Bajramit
Shumë prej tyre dolën për tu furnizuar me gjëra ushqimore dhe për të parë çmimet e produkteve që dëshirojnë t’i blejnë.
Disa qytetarë thanë që shumica e çmimeve janë rritur, e disa të tjerë jo.
Megjithatë tregtari Beqir Avdiu tha se pavarësisht që ka rritje të çmimeve, qeset e konsumatorëve prapë mbushen.
“Çmimet janë pak ma të shtrenjta këtë muj se është mall i jashtit nuk është i Kosovës, se ka ankesa te konsumatorët për çmime po vallahi nuk munësh me shit një produkt që e blen prej venit tjetër nën çmin sa e blenë”, shprehet Beqir Avdiu- tregtar.
Paralelisht me përgatitjet e tjera, në sofrat e besimtarëve mysliman nuk mungojnë as ushqimet tradicionale si dhe bakllava, që e karakterizon Bajramin.
Hyla Hakaj Pllana, pronari e një biznesi në Prishtnë, ka thënë se pavarësisht që janë rritur çmimet, nuk i kanë shtrenjtuar çmimet e produkteve të tyre.
“Kërkesa kemi pasë mjaftë për bakllava të bajramit edhe para bajramit kem me iftar se ka pasë kërkesa ma shumë po i ndalem pak iftaret u dashtë me u fokusu vetëm nëbakalla. Ne i kemi çmimet ende qato çmime, shprehet ai.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike, Lulëzim Rafuna ka thënë se nuk kanë pasur lëvizje të çmimeve në prag të festave.
“Ne si odë ekonomike prej anëtarëve tanë që kemi marrë info kemi besimin e plotë që kjo nuk ndodhë për shkak të festave dhe e them me përgjegjësi që anëtarët tonë e kanë top prioritet konsumatorin”, thotë Rafuna.
Tregtarët kanë treguar se këtë vit kanë pasur më shumë konsumatorë për muajin e shenjtë të Ramazanit se sa vitin e kaluar.
Kronika e realizuar nga Gresa Bardhecaj







