Poleni është një nga shkaktarët më të zakonshëm të alergjive sezonale.
Temperaturat e larta gjatë këtyre ditëve bëjnë që të ketë edhe më shumë polene në ajër.
Kjo për personat alergjikë përkthehet në më shumë në teshtitje, kruarje, lotim të syve si dhe kollë.
E për televizionin, doktori Rushit Ismajli bën të ditur se raste të alergjisë në polen, ka më shumë se zakonisht.
“Ka raste më shumë se sa zakonisht dhe kjo më shumë shoqërohet në pranverë. Për fat të keq, disa njerëz pranvera i mundon, është ndoshta stina më e bukur, mirëpo disa kanë një alergji më të theksuar në polen e cila pastaj ia prish pak disponimin”, tha Ismajli.
Ai ndër të tjera tregoi edhe se si trajtohet kjo alergji.
“Trajtimi është zakonisht simptomatik njëherë me ndonjë sprej për hundë, ndonjë sprej për fyt, i themi që të hirohet mjaftueshëm në kuptim të përdorimit të sasive të mjaftueshme të lëngjeve. Për këtu e kam fjalën që janë pa sheqer, çaj, ujë, supë, i themi që të pushojë, që të shmang alergjenët. Me shmang polenin është pak e vështirë, por me shmang alergjenët e tjerë, ndoshta nuk është shumë e vështirë, sepse dikush që është alergjik në polen, është edhe në shumë substanca të tjera, si p.sh duhani”, deklaroi ai tutje.
E kërkesat për medikamente për të luftuar alergjitë në polen, vërehen edhe te barnatoret.
Sipas farmacistes, Luljeta Ibrahimi, këto alergji, qytetarët mundohen t’i kalojnë duke mos vizituar mjekun dhe të marrin terapi pa recetë.
“Kërkesat janë aq të mëdha sa që kërkohen më shumë pa recetë të mjekut, dmth vizitat të mjeku janë shumë të pakta, janë shumë të rralla. Çdokush që vjen thotë që e ka përdorur vitin e kaluar dhe më ndihmon edhe tani. Jo. Dmth ka shumë raste”, tha Ibrahimi.
Duke e ditur që alergjitë janë të ndryshme, sipas Ibrahimit, këto lloj medikamente nuk mund të merren pa recetë të mjekut, sepse mund të kenë efekte anësore.