Të enjten e 2 prillit të vitit 1981, dhjetëra mijëra shqiptar kishin vërshuar rrugëve të Prishtinës. Kjo për të kundërshtuar padrejtësitë e mëdha që po i bëheshin kosovarëve nën Jugosllavi. Të rinjve atë ditë po iu prinin Naser Hajrizi e Asllan Pireva, të cilët edhe ranë heroikisht duke e mbajtur lart flamurin kombëtar. Për rënien e tyre 43 vjet më parë, Tëvë1 iu sjell rrëfimet ekskluzive të familjarëve.
Sheshet e Prishtinës tani i duken të qeta.
Por, pamje krejt tjetër kishin këto rrugë 43 vjet më parë.
Dhjetëra mijëra protestues shqiptarë, në fillim të prillit të vitit 1981, vërshuan rrugëve të kryeqytetit.
Krejt kjo, për t’i kundërshtuar padrejtësitë që po iu bëheshin shqiptarëve nën Jugosllavi.
“Ky vend ka qenë i mbuluar me tym atë ditë, nga bombat e gazit lotsjellës, nga gjuajtjet edhe me armë zjarr dhe kryengritja e atij viti kishte arritur kulmin në atë ditë, ku pati shumë të plagosur, gati të vrarë dhe katër të vrarë në Prishtinë dhe të nesërmen edhe 4 të tjerë, dy në Vushtrri dhe dy në Ferizaj”, ka thënë Mehmet Hajrizi nga Grupi Rveolucionar i Kosovës.
Në këtë formë, shtresa të ndryshme të popullit, u bashkuan për demonstratën më të madhe në Kosovë që pas Luftës së Dytë Botërore.
E rëndësia e saj, sipas Mehmet Hajrizit, që ishte edhe njëri nga organizatorët e demonstratës, doli të jetë historike.
“Efekti i tyre ka qenë historik, për ta bërë të njohur çështjen e Kosovës në botë, sepse atëherë pati jehonë shumë të gjerë në gjithë botën kjo kryengritje”, ka thën Hajrizi.
Nxënësve shqiptarë atë kohë, po iu prinin Naser Hajrizi e Asllan Pireva.
Pas ndërhyrjes së dhunshme të forcave serbe, protestuesit u shpërndanë në rrugë të ndryshme.
Por, shumë prej tyre u mblodhën në këtë vend, nga dy prishtinasit e ri, Asllani e Naseri.
Ky i fundit me flamurin kombëtar në duar, ra në syrin e forcave serbe.
“Në krye të demonstratës ishin Naseri dhe Asllani, kishin marrë një flamur në zyren e babait të Naserit dhe e mbanin. Këtu prapa meje, nga kati i tretë i Bankës Popullore atëherë, tash objekti i kryeministrisë, është gjuajtur me snajper nga një oficer ushtarak dhe janë vrarë të dyte me plumb në kokë. Dëshmitarët thonë se Naseri e kishte flamurin, pasi që është vrarë ai, flamurin e ka kap Asllani dhe është gjuajtur edhe në të dhe është vrarë”, ka deklaruar Hajrizi.
Ani pse atë kohë vetëm 5 vjecar, mungesat e gjata të vëllait të madh në shtëpi, i vërejti edhe Bujar Hajrizi.
“Me kalimin e kohës, u vërtetua se Naseri ka qenë i kyçur në lëvizjet ilegale të asaj kohe, vonesa, literatura, qasja, shkrimet dhe stemat e Shqipërisë, këngët e kanë treguar një situatë që Naseri ka qenë pjesë e procesit për çlirim, ka thënë Bujar Hajriiz, vëllai i dëshmorit Naser Hajziri.
Por, edhe pas 43 vjetëve, Bujari nuk i ka harruar ato çaste që i kalonte me vëllain.
“Afërsia e tij, dashuria e tij, komunikimi i tij, Naseri ka lexuar shumë libra, prandaj çdo mbrëmje na ka marrë afër vetës dhe na ka lexuar libra të ndryshme, përralla, tregime, etj.”, është shprehur Bujari.
Ndërkohë edhe pas katër dekadave, gjurmët e plumbave serb janë ende në shtëpitë përreth vendit ku heroikisht ranë dy dëshmorët e ri.