Koloneli në pension i Policisë së Kosovës, Refki Morina, ka thënë se pamjet e publikuara nga kryeministri i Kosovës, ku ushtria serbe shihet afër kufirit të Kosovës nuk duhet të jenë shqetësuese.
Ai ka thënë nga Serbia nuk mund të pritet diçka e mirë, por shtoi se Kosova është me e sigurt se kurrë, duke përmendur prezencën e KFOR-it por dhe Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.
“Nga përvoja për një periudhë time 30-40 vjeçare mund të themi se nuk duhet t’i marrim me shqetësim pamjet e tilla provokative të Serbisë pranë kufirit, pasi që kurrë më të sigurtë nuk kemi qenë për arsye se kemi trefishimin e forcave të KFOR-it, Policinë e Kosovës mjaftë profesionale dhe forcat e EULEX-it”, ka thënë Morina në emisionin “Ditari” në Tëvë 1.
Ai ka thënë se nuk sheh ndonjë kërcenin frontal ndaj Kosovës, pasi sipas tij një gjë e tillë do të thoshte kërcënim edhe ndaj KFOR-it.
Morina ka thënë se kishte kërkuar në të kaluar personel shtesë në kufi me Serbinë, pasi sipas tij kjo pjesë nuk është mbuluar sa duhet.
“Shpesh gjatë inspektimeve në të kaluar kemi vërejtur se pjesa e Mitrovicës nuk ka qenë sa duhet e mbuluar me personel, p.sh nga Kërpi Mehu deri në Merdarë kemi pasur vetëm dy patrulla policore…territori ka qenë shumë i madhe , vazhdimisht kemi kërkuar personel që të mbulohet territori në kufi me Serbinë, pra ka qenë vazhdimisht i mangët. Kurse pjesët tjera që nuk kemi qenë të rrezikuar p.sh nga Shqipëria, Mali i Zi ka pasur personel ma shumë sesa nga Serbia. Shpesh kemi cekur në raportet tona se ka nevojë për personel, por përgjigja ka qenë se nuk ka personel të mjaftueshëm me mbulu atë pjesë të territorit”, ka deklaruar ai.
Ndryshe, Kurti mbrëmë ka publikuar një video ku shihet pjesëtarë të Ushtrisë së serbe disa metra larg kufirit të Kosovës.
Ai ka thënë se pamjet janë bërë gjatë ditës së mërkurë, në në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut.
Kurti ka deklaruar se këto pamje vijnë disa ditë pas kërcënimit të presidentit serb Vuçiq.
“Ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.Sot gjatë ditës, njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën”, ka shkruar Kurti, përcjell teve1.info.
Ndërsa, të premten, zëvendësdrejtori rajonal për veriun e Kosovës, Veton Elshani ka thënë se kanë qenë në dijeni, një ditë më parë nga partnerët e KFOR-it për ushtrimin që ka pasur ushtria serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.
Elshani për Tëvë1 ka thënë se nuk ka qenë befasi për ta dhe se Policia e Kosovës i ka parë ato pamje – por sipas tij, nuk kanë paraqitur ndonjë problem.
“Në fakt për ushtrimin e ushtrisë serbe ne kemi pas informacion nga partnerët tonë të KFOR-it të cilët na kanë njoftu, të paktën unë e kam ditë më herët që do të ketë ushtrim një ditë më vonë dhe nuk ka qenë befasi për neve. Kështu që po është e vërtetë, pamjet janë tonat ne i kemi pa ata, kemi qenë në afërsi të vendit edhe ne sepse jemi duke kontrollu kufirin tonë por nuk ka pas ndonjë problem për me theksu”, ka deklaruar Elshani.
Misioni i paqeruajtës i KFOR-it ka folur për situatën e sigurisë në Kosovë.
Sipas KFOR-it, situate e sigurisë në Kosovë është e qetë, por vazhdon të mbetet fragjile.
Përmes një komunikate për medie, KFOR-i ka treguar se ka trefishuar numrin e patrullimeve.
“Në këtë moment, situatë në Kosovë është e qetë, por mbetet fragjile. Pas tensioneve të fundit, ne dislokuam rreth 1.000 trupa shtesë në Kosovë dhe e rritëm qëndrimin e KFOR-it në Kosovën veriore.
Ne gjithashtu e trefishuam numrin e patrullimeve, përfshirë ato përgjatë Vijës Kufitare Administrative”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.