Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë të Kosovës, me rastin e fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit.
Osmani duke uruar agjërim të lehtë për agjëruesit ka thënë se në këtë muaj dhe çdo ditë të shpërfaqim solidaritet ndërnjerëzor, që sipas saj është karakteristikë e popullit të Kosovës.
“Pas mesnate, me syfyrin e parë, fillon muaji i shenjtë i Ramazanit. I uroj të gjithë qytetarëve tanë të besimit islam agjërim të lehtë e të shëndetshëm, mbarësi dhe begati në familje. Forca e njeriut qëndron në durimin, veprat humane dhe respektin e ndërsjellë. Ndaj në këtë muaj e çdo ditë tjetër, të shpërfaqim solidaritetin ndërnjerëzor që e karakterizon popullin tonë. Urime muaji i bekuar i Ramazanit!”, ka shkruar Osmani në Facebook.