Ekspozimi i duhur dhe efektiv i produkteve në ngjarje rrjetëzimi dhe panaire është ndër faktorët kryesor që një biznes të arrijë majën e suksesit.
Paraqitja e denjë, komunikimi në mënyrë tërheqëse dhe bindëse me klientë, mundësia për rrjetëzim, identifikimi i konsumatorëve, mbledhja e komenteve dhe sugjerimeve direkte nga ta, aspekti vizual dhe materialet janë ndër çështjet pikat kryesore që ndikojnë në rritjen e një biznesi.
Kështu u tha sot në trajnimin e mbajtur në kuadër të projektit “Mbështetja për gratë në zhvillimin e bizneseve të tyre”.
Fokusi kryesor në këtë trajnim ishin këshillat ofruar grave se si të avancojnë me shitjet e produkteve të tyre, si t’i identifikojnë dhe të lidhen me klientët e dëshiruar, si dhe të mësojnë rëndësinë e panaireve për bizneset e tyre.
Në kuadër të këtij projekti, i cili zbatohet nga organizata jo qeveritare ‘Qendra për Inovacione dhe Zhvillim’ dhe financohet nga Agjencia Sllovake për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar “SlovakAid”, shumë gra morën instruksione nga më të ndryshmet në mënyrë që të tërheqin sa më shumë klientë për produktet e tyre.
Trajnerja e këtij projekti, Linda Baleta e konsideroi si shumë të rëndësishëm përshtypjen e parë të një produkti për klientët, për çka tha se paraqitja, organizmi, ekspozimi, komunikimi dhe gjithçka tjetër duhet të jetë në nivel, ashtu që të arrihet deri te suksesi.
Baleta vlerëson se mbledhja e komenteve dhe sugjerimeve direkte nga klientët, aspekti vizual, duke përfshirë fotografitë, dizajnet, etiketat dhe mënyra se si vendosen produktet nëpër panaire, janë ndër pikat kryesorë që ndikojnë në paraqitjen e suksesshme të artikujve të ndryshëm për konsumatorët.
Po ashtu ajo shtoi se në botën e sotme përshtypjet e para për artikujt janë shumë të rëndësishme, duke përfshirë ngjyrën, imazhet, pozicionin, për çka potencoi se janë disa element jo vetëm që përfaqësojnë biznesin tuaj, por e dallojnë atë nga të tjerët, shkruan KP.
Cikli i trajnimeve do të vazhdojë edhe tutje me gratë në fushën e biznesit nga e gjithë Kosova, në të cilët do të ketë informacione dhe këshilla edhe më të detajuara sa i përket bërjes sa më të mirë të biznesit.







