Këshilli Prokurorial i Kosovës, ka reaguar lidhur me publikimin e lajmit në rrjete sociale për vdekjen tragjike të prokurores Valbona Disha-Haxhosaj.
Lajmi i publikuar ka qenë i rrejshëm dhe për këtë KPK, ka bërë të ditur se janë duke marrë masa për indefikimin dhe arrestimin e personit apo personave të përfshirë në këtë rast.
“KPK-ja, njofton se janë duke u ndërmarrë masa konkrete për identifikimin dhe arrestimin e personit/ave, të cilët kanë vendosur këtë lajmërim të paskrupullt dhe të njëjtit do të dalin para organeve të drejtësisë dhe se institucionet e Prokurorit të Shtetit janë duke u trajtuar seriozisht këtë veprim penal dhe në nivelin e duhur të hetimit dhe të ndjekjes gjer në ndriçimin e plotë të tij, i cili ka për qëllim pengimin në ushtrimin e funksionit dhe detyrave të saja kushtetuese dhe ligjore. Në këtë drejtim, KPK-ja, siguron opinionin publik se kërcënimet dhe shantazhet e tilla dhe veprime të tjera, çfarëdo qofshin ato, që behën ndaj prokurorëve të shtetit, nuk do t’i zmbrapsin synimet dhe përpjekjet e vazhdueshme për fuqizimin e shtetit ligjor, në të cilin respektohen vetëm parimet e drejtësisë”, thuhet në komunikatë.
KPK e ka vlerësuar si akt të shëmtuar raportim e tillë dhe ka thënë se qëndron në përkrahje të prokurores Disha-Haxhosaj.
Për këtë rast ka reaguar edhe Shoqata e Prokurorëve të Kosovës të cilët kanë kërkuar zbardhjen e rastit.







