Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, (AAK) ka mbajtur sot tryezën e dytë për Arsimin.
I pari i kësaj partie, Ramush Haradinaj ka deklaruar se kjo qeveri e ka degraduar skajshmërisht arsimin në Kosovë.
Për Haradinajn, qeveria aktuale nuk e ka prioritet arsimin, duke qenë se e ka sjellë buzë kolapsit këtë sektor.
“Fatkeqësisht Arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie. Problemet janë shtuar dhe janë alarmante. Ndikimi i dëmshëm politik, mungesa e investimeve kapitale, mungesa e fondeve për hulumtime shkencore, pagat e ulëta si dhe kushtet e dobëta infrastrukturore dhe lufta e hapur ndaj sindikatave dhe mësimdhënësve, kanë sjellë këtë sektor buzë kolapsit. Në tryezën e dytë për Arsimin, kësaj radhe organizuar në bashkëpunim me Forumin Intelektual Evropa 2030, gjatë diskutimit me panelistët, profesionistë të fushave të ndryshme me kontribut të shquar në sektorin e Arsimit, u ngrit shqetësimi për degradimin e skajshëm që kjo qeveri i ka sjellë Arsimit”, ka shkruar ai në Facebook.