Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar për mospjesëmarrjen fizike të kryeministrit, Albin Kurti, në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian në Tiranë.
Sipas tij, s’ka asnjë arsyetim që Kosova s’është e pranishme në këtë samit, duke shtuar se as për Qeverinë Kurti s’ka agjendë më të rëndësishme.
“Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë se ky samit, përveç ndonjë emergjence kombëtare. Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim. Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës”, thuhet në postimin e Hotit në Facebook.
Teksa në përfundim, Hoti ka shkruar se Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti./teve1.info/.