Ai po ashtu u shpreh se nuk e di se nga janari deri në qershor të vitit 1999 a e ka takuar Salih Mustafën apo jo sepse nuk e ka njohur, por u shpreh se e ka ditur se udhëheqës i njësitit BIA ka qenë Salih Mustafa.
Mustafa tregoi se në Zllash ka qenë në maj të vitit 1999 para nisjes për transportim të të plagosurve drejtë Maqedonisë, por që më herët nuk ka qenë asnjëherë në këtë fshat.
Avokati Shala: Në periudhën kohore janar qershor 1999 a e keni ditur se kush ka qenë udhëheqës i njësitit BIA
Dëshmitari: Po ka qenë Salih Mustafa Cali
Avokati Shala: Gjatë kësaj periudhe kohore janar-qershor 1999 a e keni takuar ju personalisht komandat Calin
Dëshmitari: Personalisht nuk e kam takuar sa di unë nuk e kam takuar kam mundur ta takoj por se kam njohur por për të kam ditur dhe rolin e detyrën dhe pozitën që ka
Avokati: Gjatë periudhës kohore janar-qershor 1999 a keni qenë në fshatin Zllash
Dëshmitari: Po kam qenë dikur para se të nisëm për transportin e të plagosurve për në Maqedoni, kam bërë përgatitjet e fundit dhe kam kaluar aty pari[…]Fund të majit 1999
Avokati Shala: para kësaj periudhe nuk keni qenë asnjëherë
Dëshmitari: Jo
Ndërsa, i pyetur nga avokati Betim Shala se a ka pasur kontakte me pjesëtarët e njësisë BIA, dëshmitari Ibishi tregoi për një rast në vitin 1998 të cilit i është dashur ndihmë mjekësore, derisa tha se në rastet tjera për furnizime ai tha se këtë e kanë bërë udhëheqësit e njësive që kanë qenë në kuadër të brigadës. Dhe më pas tha se ka takuar edhe një pjesëtar të BIA-së nga mesi i qershorit 1999.
Avokati Shala: A keni pasur kontakte me pjesëtarë të njësisë BIA
Dëshmitari: Kam pasur një rast në zonë ka qenë Rrahman Dini, por tash nuk po më kujtohen dy apo tri raste ai ka ardhur në zonë, një rast ka ardhur për aspekte të veta shëndetësore sepse ka qenë i sëmurë me TBC dhe është dashur mbështetja për dërgim jashtë nëpër zonës ka qenë në Bajgorë dhe rasti tjetër nëse nuk gaboj ka sjell diçka ose shërbime shëndetësor mjek ose personel mjekëve ose medikamente po vullnetar të rinj në zonë, por atë e mbaj në mend nëse ka qenë edhe ai në BIA nuk jam i sigurt
Avokati Shala: Për cilën periudhë po flasim kur e keni takuar
Dëshmitari: 1998
Avokati Shala: Gjatë vitit 1999 a keni pasur kontakte me pjesëtarë të BIA
Dëshmitari: Po pas çlirimit të Kosovës pra kam pasur kontakte
Avokati Shala: Nga janari 19999 e deri në qershor 1999 a keni pasur kontakte me pjesëtarë të BIA
Dëshmitari: Mesi i qershorit kam njohur një
Avokati Shala: Ju si komandant i brigadës kur keni pasur nevojë për furnizime nga kush keni kërkuar të bëhen ato furnizime të ndryshme si ushqimore, veshmbathje, medikamente
Dëshmitari: Në kuadër të vetë brigadës edhe të zonës që janë shërbimet e ndryshme edhe të logjistikës apo sanitetit shëndetësore, edhe i rekrutimit personelit secili ka pasur kontakte direkte me pjesëtarët e BIA-së që kanë vepruar në pjesët urbane të qytetit Prishtinës, Obiliqit, Fushë-Kosovës
Dëshmitari Ibishi u shpreh se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i është bashkuar në fund të qershorit të vitit 1998, por që edhe më herët ka qenë i angazhuar në lëvizjen për formimin e UÇK-së.
Dëshmitari i mbrojtjes, Nuredi Ibishi më pas ka vazhduar tu përgjigjet pyetjeve të avokatit, Betim Shala i cili kërkoi të di më shumë rreth formimit të brigadave 151. 152. 153 dhe statusin që ka pasur njësiti BIA.
Avokati Shala: Pasi që e përmendët BIA-në zona operative e Llapit është bërë prej tre brigadave edhe e përmendët BIA, çfarë statusi dhe cilësie ka pasur BIA?
Dëshmitari: Sa unë kam dëgjuar dhe mësuar ka qenë një marrëveshje e mëhershme në shtator të 1997 ku guerila BIA i është dhënë detyra të veproj në zonat urbane por në aspektin të furnizimit për përgatitjet të UÇK-së në zonën operative të Llapit për çështje të shëndetësisë, për çështje të logjistikës, për pranim të refugjatëve dhe akomodimit të tyre prej zonave që kanë qenë të prekura nga lufta edhe normal për çështje tjera rreth pozicionimeve të forcave të armikut e të tjera
Dëshmitari Ibishi i pyetur nga avokati Shala tregoi edhe për policinë ushtarake për të cilën tha se me krijimin e brigadave 151, 152, 153 është krijuar edhe policia ushtarake e cila ka qenë pjesë e çdo brigade dhe detyra e kësaj policie ushtarake ka qenë të mbajte ne rendit dhe rregullit ushtarak në brigadë dhe zonë.
Ai tutje u shpreh se në UÇK kanë ekzistuar rregulla të cilat është dashur të respektohen nga ushtarët, ndërsa autoritet për të ndaluar këta ushtarak ka pasur policia ushtarake.
Avokati Shala: Në kuadër të brigadës a ka ekzistuar ndonjë person përgjegjës i cili ka vendosur edhe për ndalimin e personit pas ndalimit nga ana e policisë ushtarake dhe kohëzgjatjen e atij ndalimi
Dëshmitari: Policia ushtarake ka pasur kompetencën sikurse policia e rregullt të mund të bëjë ndalimin e personit në kohën e caktuar brenda kohës që është paraparë në rregullore […]nuk ka qenë detyrimisht që unë të njoftohem përmenanentë lidhur me zbatimin e rregullores disiplinore nëse dikush prej ushtarëve ka bërë shkelje ndoshta e ka bërë në raportin e përgjithësuar por tash nuk ka qenë e thënë që menjëherë të lajmëroj komandantin e brigadës për një shkelje çka mund të jetë e nivelit të ulët minore
Tutje avokati i Salih Mustafës, parashtroi pyetje për dëshmitarin Nuredin Ibishi rreth brigadës së mbrojtjes civile dhe se kjo njësi a ka pasur autoritet të ndaloj civil.
Dëshmitari, Ibishi u shpreh se ka ndodhur raste kur mbrojtja civile për keqbërës ka vepruar dhe ka ftuar dhe Policinë ushtarake për raste të caktuara nëse ka pasur ndonjë shkelje.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafës.
Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm./KP