Ministri i Jashtëm i Brazilit ka kritikuar “paralizën” në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për luftërat në Gazë dhe Ukrainë, teksa ai hapi takimin e G20-s më 21 shkurt, takim ku u shfaqën ndarjet e thella të komunitetit ndërkombëtar.
Ka pak gjasa që të ketë përparim në agjendë për konfliktet dhe krizat, teksa ministrat e Jashtëm të ekonomive më të mëdha të botës u mblodhën në Rio de Zhaneiro për takimin e parë të G20-s këtë vit.
Gjatë nisjes së takimit dyditor, ku merr pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, kryediplomati i Brazilit, Mauro Vieira, tha se shpërthimi i konflikteve globale tregon se institucionet ndërkombëtare, sikurse OKB-ja, nuk po funksionojnë.
“Institucionet multilaterale nuk janë të pajisura siç duhet për t’u përballur me sfidat aktuale, siç ka demonstruar edhe paraliza e papranueshme në Këshillin e Sigurimit lidhur me konfliktet që po vazhdojnë” në Gazë dhe Ukrainë. Ai shtoi se kjo situatë po iu kushton “me jetë personave të pafajshëm”.
Këshilli i Sigurimit ka dështuar që të veprojë ndaj pushtimit rus të Ukrainës, për shkak të fuqisë së vetos që ka Rusia, dhe po ashtu është përballur me probleme që të përgjigjet ndaj luftës në Gazë, pasi që SHBA-ja, aleatja e Izraelit ka përdorur veton për të bllokuar thirrje për armëpushim. Rasti i fundit ishte të martën.
Brazili, që ka marrë drejtimin e Presidencës së G20-s nga India në dhjetor, ka thënë se ka shpresë që grupi mund të jetë një forum për të bërë përparim për këto çështje.
Por, presidenti i Brazilit nxiti një përplasje diplomatike pasi të dielën akuzoi Izraelin për “gjenocid”, duke krahasuar fushatën e tij ushtarake në Rripin e Gazës kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – me Holokaustin.
Kjo deklaratë nxiti zemërim në Izrael, që e shpalli presidentin brazilian, Luiz Inacio Lula da Silva, “person të padëshirueshëm”.
Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit, tha se Blinken “e ka bërë të qartë mospajtimin me deklaratën e tij” gjatë takimi që pati me Lulan para se të niste takimi i G20-s.
Që kur ka nisur lufta në Gazë më 7 tetor, që u nxit pas sulmit të luftëtarëve të Hamasit në jug të Izraelit, ka pasur pak shenja për përparim drejt paqes.
Pamje e zymtë po ashtu duket edhe për luftën që Rusia po zhvillon kundër Ukrainës për pothuajse dy vjet, luftë që ka ndarë anëtarët e G20-s.
Pavarësisht përpjekjeve të shteteve perëndimore për të dënuar pushtimin e nxitur nga presidenti Vladimir Putin, samiti i fundit i G20-s përfundoi me një deklaratë ku dënohej përdorimi i forcës, por në deklaratë nuk u përmend shprehimisht Rusia, e cila ka raporte miqësore me Indinë dhe Brazilin, në mesin e shteteve të tjera të G20-s./REL