Kosova sot shënon 16-vjetorin e pavarësisë së saj. Që nga formimi i shtetit, në Kosovë kanë qeverisur pothuajse të gjitha partitë politike në vend. Megjithatë dialogu Kosovë-Serbi dhe zhvillimet politike, kanë lënë nën hije ekonominë e vendit tonë për 16-vjet shtet. Për këto vite, Kosova nuk ka arritur të krijojë qëndrueshmëri ekonomike si rrjedhojë e dialogut dhe zhvillimeve në veri të vendit.
Përveç kësaj vendi mbetet nën sanksione tash e më shumë se tetë muaj nga Bashkimi Evropian si rrjedhojë e situatës së krijuar në veri dhe mos përmbushjes së kërkesave të BE-së për shtensionimin e situatës në katër komunat veriore.
Sfidë tjetër për shtetin më të ri në Evropë, Kosovën, mbetet edhe zbatimi i Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për përdorimin e vetëm një valute në Kosovë, përkatësisht euros. Kjo rregullore e cila ka hyrë në fuqi më 1 shkurt të këtij viti, ka vënë në sprovë marrëdhëniet Kosovë-Shtetet e Bashkuara të Amerikës. SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe mekanizma tjerë, e kanë kritikuar tash e sa ditë Qeverinë e Kosovës për mos shtyrje të zbatimit të rregullores që parasheh ndalimin e qarkullimit të dinarit. Ndonëse, qarkullimi i kësaj valute serbe (dinari) është antikushtetues, pasi që në nenin 11 të Kushtetutës së Kosovës, thuhet se në Republikën e Kosovës si mjet i vlefshëm pagese përdoret një valutë e vetme, ndërsa me Ligjin për Bankën Qendrore të Kosovës, po ashtu thuhet se sipas kërkesës, Banka Qendrore do të këmbejë kartëmonedhat dhe monedhat e euros.
Por, mirëqenie për qytetarët dhe siguri më të madhe për bizneset mund të ketë vetëm atëherë kur do të marrë fund dialogu me Serbinë e me një marrëveshje finale, kështu kanë vlerësuar drejtues të Odës Ekonomike të Kosovës.
“Ajo që kohë pas kohe ka shkaktuar një pasiguri, kanë qenë tensionet politike, kur e them këtë e kam fjalën në veri të vendit. Prandaj, është shumë me rëndësi stabiliteti politik. Edhe çështja e dialogut Kosovë-Serbi, sa më shpejt që të përfundojë është në të mirën e ekonomisë”, ka thënë kryetari i OEK, Lulzim Rafuna.
Komuniteti i biznesit ka kërkuar vazhdimisht nga Qeveria e Kosovës të ketë në prioritet zhvillimin ekonomik dhe njëkohësisht t’u dal në mbështetje bizneseve.
Madje ekonomia e dobët, varfëria dhe mungesa e perspektivës janë ndër arsyet kryesore që po shtyjnë qytetarët e Kosovës ta braktisin vendin. Sipas Institutit GAP, në dhjetë vjetët e fundit nga vendi kanë emigruar 338 mijë qytetarë.
Varfëria në Kosovë po vazhdon të rritet nga viti në vit, kështu duke bërë më të vështirë edhe gjendjen sociale të familjeve në nevojë. Sipas raportit të fundit nga UNDP-ja për vitin 2023, varfëria në Kosovë është rritur në 16 për qind, për çka ka rënie edhe të rritjes ekonomike.
Sipas UNDP-së, shumë familje (16 për qind të ekonomive familjare) jetojnë nën nivelin e varfërisë që i bie me vetëm 1.85 euro në ditë.
Sfidë për qytetarët në këto vite ishte edhe rritja e inflacionit në normën dy shifrore. Krahas kësaj rritje të çmimeve për produktet esenciale, ndodhi edhe shtrenjtimi i rrymës mbi 100 për qind nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë brena një viti (2022-2023).
Shteti më i ri në Evropë e më gjerë, Kosova mbetet një vend jo tërheqës për investime të huaja, sidomos nga kompanitë dhe markat e mëdha botërore. Madje sipas raporteve të Bankës Qendrore të Kosovës, ka edhe rënie të investimeve në vitet e fundit, krahasuar me periudhën e parë të pavarësisë.
Eksportet e mallrave sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës janë në rënie dhe shifra simbolike, kështu ende është i thellë deficiti tregtar në raport me importin.
Përkundër kritikave nga partitë opozitare për stagnimin e vendit në ekonomi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në forumin ekonomik në Zvicër, kishte përmendur rritjen e eksporteve të Kosovës, me një rritje të zhvillimit ekonomik, ku sipas tij, është bërë edhe rritje e tregut.
“Çdo gjë tregon se do të bëhemi një vendi i orientuar ka eksporti, nuk është e rastësishme që për dy vite e gjysmë janë dyfishuar eksportet, ku në tre vitet e fundit gjithsejtë, vlera e eksporteve të Kosovës, ka arritur në 2.5 miliardë euro. Ndërkaq kjo rritje është më shumë se dyfishi, krahasuar me gjashtë vitet e më parëshme”, kishte thënë Kurti në janar të këtij viti.
Kurti ka thënë po ashtu se në qeverisjen e tij ekonomisë së vendit secilin vit i është shtuar mbi 1 miliard euro, për çka tha se kjo rritje padyshim është rezultat i ndërmarrësisë së sektorit privat.
“Konkurrencën dhe bashkëpunimin duam t’i shohim bashkë. I gjithë sektori privat e ka të garantuar aleatin dhe partnerin në mënyrë që ta ndihmojmë njëri tjetrin në këtë drejtim, të prodhojmë e të eksportojmë më shumë, të luftojmë informalitetin më shumë dhe të përforcojmë konkurrencën e vendit tonë. Ne duhet të jemi në këtë dialog edhe mirë të strukturuar në mënyrë që sfidat të definohen saktë, takimet tona mos të jenë biseda që përsëriten, për raportime për rezultatet e arritura. Ekonomisë së vendit i është shtuar mbi 1 miliard secilin vit”, ka thënë Kurti.
Ndonëse një arritje e shumë pritur për vendin ndodhi më 1 janar 2014, liberalizimi i vizave për të lëvizur qytetarët lirshëm në zonën Schengen.
Kështu pas shpalljes së pavarësisë, Kosova ka arritur të anëtarësohet gati në të gjitha organizatat financiare ndërkombëtare, në Bankën Botërore, në Fondin Monetar Ndërkombëtar, në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, përveç në Byronë e Kartonit të Gjelbër që mbetet kusht për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Pas mvetësisë, vendi investoi miliarda euro në infrastrukturë rrugore, si dhe për ndërtimin e dy autostradave, atë që lidhë vendin me Shqipërinë “Ibrahim Rugova”, si dhe autostrada tjetër “Arbën Xhaferi” në drejtim të Shkupit.
Ndonëse, vendi ngeci në ndërtimin e hekurudhave dhe në zhvillimin e ndërmarrjeve publike siç janë “Trepça”, “Infraskosi” dhe Telekomi.
Kështu gjatë vitit 2009 Kosova shënoi një rritje ekonomike prej 5 për qind, kurse në vitin 2023 kjo normë ishte 3.5 për qind, të cilën njohës të fushës së ekonomisë e konsiderojnë të natyrshme dhe jo si rezultat të zhvillimit ekonomik.
Shteti më i ri në Evropë e më gjerë, më 2008 Kosova kishte një buxhet prej një miliard e 27 milionë euro, ndërsa një vit pas pavarësisë më 2009, Kuvendi i Kosovës miratoi buxhetin një miliard e 430 milionë euro. Kështu buxheti për vitin 2024 tani ka arrit 3.3 miliardë euro./KP