Ai në një intervistë për RTK ka thënë se si Qeveri e Kosovës para zgjedhjeve parlamentare të Serbisë ka bërë përpjekje t’i bindin subjektet politike në Luginën e Preshevës që të futen në një listë të përbashkët, por nuk ia kanë arritur qëllimit si pasojë e mosbashkëpunimit nga Shqiprim Arifi.
“Aso kohe subjektet politike atje vetëm se u patën ndarë në dy lista dhe ideja ishte që ata të pajtohen dhe të futen në një listë të përbashkët, e ku një ndër problemet kishte qenë numri një në listë. Në atë kohë i patëm ftuar të gjithë krerët e subjekteve politike. Shqiprim Arifi s’kishte ardhur në takim por më pas kemi biseduar në telefon me idenë që të krijohet lista e përbashkët, e ku pastaj mbase Arifi do të shkonte i pari në listë, e ku dukej se kishte gatishmëri nga Shaip Kamberi, por mungonte gatishmëria e Shqiprim Arifit”, ka thënë Aliu.
Shkarkimin e sotëm të kryetares Ardita Sinani dhe zgjedhjen e Shqiprim Arifit në këtë pozitë, ai e ka vlerësuar si një hap jo të mirë.
“Është dashur të priten zgjedhjet. Rezultati i zgjedhjeve parlamentare tregoi se Arifi nuk doli mirë, pra pse i kanë numrat në Kuvendin komunal nuk do të thotë se kjo do të duhej të bëhej, sidomos tani kur kryetarja Ardita Sinani arriti të krijojë një ambient mjaft të mirë, të krijojë kontakte të mira me Qeveritë në Prishtinë dhe Tiranë dhe të sensibilizojë çështjen e Luginës së Preshevës gjithandej”, ka theksuar tutje Aliu.
Shqiprim Arifi nga Alternativa për Ndryshim është zgjedhur sot kryetar i ri i Preshevës në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal, duke marrë besimin e 20 këshilltarëve komunalë.