Misioni i OSBE-së në Kosovë ka vlerësuar se dorëheqja e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në Mitrovicë në vitin 2022, është kthim prapa për sistemin e drejtësisë në atë pjesë të vendit.
Në raportin “Sistemi i drejtësisë në Mitrovicë- Gjendja para dhe pas dorëheqjes masive të gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit administrativ serbë të Kosovës“, OSBE-ja ka theksuar pasojat që kishin këto dorëheqje në procedimin e lëndëve.
“Pas dorëheqjes masive, kapacitetet e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicën e Veriut dhe Prokurorisë Themelore të Mitrovicës për të administruar drejtësinë në kohë dhe me efikasitet është zvogëluar në masë alarmante për shkak të mungesës së papritur dhe të konsiderueshme të personelit”, thuhet në raport.
OSBE-ja theksoi se kapaciteti i reduktuar i punës në Gjykatë dhe Prokurori ka çuar në ulje të shkallës së trajtimit të lëndëve të pranuara rishtazi dhe lëndëve të zgjidhura, duke bërë që të rritet numri i lëndëve të pazgjidhura.
Kjo situatë, thuhet se ka bërë të shtyhet një numër i madh i seancave gjyqësore, kështu në mungesë të stafit, 81 lëndë të gjykatës u identifikuan për t’u transferuar në gjykatat tjera Themelore në Ferizaj, Gjakovë, Gjilan, Pejë dhe Prizren.
Raporti i OSBE-së analizon të dhënat statistikore për periudhën janar 2022 deri në qershor 2023 që kanë të bëjnë me kapacitetin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë dhe degëve të saj në Leposaviq, Skenderaj, Vushtrri dhe
Zubin Potok dhe Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.
“Më 7 nëntor 2022, Divizioni i Gjykatës së Apelit në Mitrovicë të Veriut (Divizioni i GJA-së) pushoi së funksionuari, duke i transferuar të gjitha lëndët në pritje nga Divizioni i GJA-së në Gjykatën e Apelit në Prishtinë”, thuhet në raport.
Aty theksohet se Këshilli Gjyqësor dhe Këshilli Prokurorial ende nuk kanë marrë vendim për dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
“Gjatë dorëheqjeve masive, gjithsej 20 gjyqtarë serbë të Kosovës dhe 110 anëtarë të personelit administrativ të Gjykatës Themelore të Mitrovicës dhe degëve të saj në Leposaviq dhe Zubin Potok kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre…Në të njëjtën ditë, nga pozita e tyre dhanë dorëheqje edhe katër gjyqtarë serbë të Kosovës të Divizionit të Gjykatës së Apelit në Mitrovicë e Veriut… Nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, si pjesë e dorëheqjeve masive, më 7 nëntor 2022, 10 prokurorë serbë të Kosovës dhe 22 anëtarë të personelit administrativ kanë dhënë dorëheqje nga pozitat e tyre”, thuhet në raport.
Dorëheqja masive e të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit administrativ serbë të Kosovës të caktuar në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, Divizionin e Gjykatës së Apelit në Mitrovicën e Veriut dhe Prokurorinë Themelore të Mitrovicës, thuhet se krijoi një situatë të jashtëzakonshme, duke shkaktuar pasoja serioze për funksionimin e përgjithshëm, efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit të drejtësisë në rajonin e Mitrovicës.
“Kapaciteti i Gjykatës Themelore në Mitrovicë u zvogëlua ndjeshëm meqë dorëheqja masive solli një rënie të madhe në normën e përgjithshme të zgjidhjes të llogaritur ndërmjet lëndëve të pranuara rishtazi dhe atyre të zgjidhura, nga
79.62% deri në shtator 2022 në 59% deri në qershor 2023, si dhe rritje të konsiderueshme në numrin e përgjithshëm të lëndëve të pazgjidhura, nga 11,497 deri në shtator 2022 në 13,313 lëndë deri në qershor 2023. Numri i lëndëve të
zgjidhura gjithashtu ka shënuar rënie nga 2,696 lëndë në gjysmën e parë të vitit 2022 në 1,899 lëndë në gjysmën e parë të 2023”, thuhet në raport.
Ngjashëm, sikurse në Gjykatën Themelore të Mitrovicës, OSBE thekson se dorëheqja masive zvogëloi ndjeshëm kapacitetet e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.
“Duke shkaktuar rënie në normën e përgjithshme të zgjidhjes së llogaritur ndërmjet lëndëve të pranuara rishtazi dhe atyre të zgjidhura nga 75,22 % deri në shtator 2022, në 57% deri në qershor 2023 dhe një rritje në numrin e përgjithshëm të lëndëve të pazgjidhura nga 7,814 deri në shtator 2022, në 9,042 deri në qershor 2023. Numri i lëndëve të zgjidhura gjithashtu pësoi rënie nga 2,117 lëndë në gjysmën e parë të 2022, në 709 lëndë në gjysmën e parë të vitit 2023”, thuhet më tej.
Pas integrimit të stafit gjyqësor serb të Kosovës më 2017, këto dorëheqje vlerësohet se ishin kthim i madh prapa për sistemin e drejtësisë në Mitrovicë.
“Dorëheqja masive paraqet një kthim serioz prapa në sistemin e drejtësisë në Mitrovicë, pas integrimit të suksesshëm të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ serbë të Kosovës në sistem të drejtësisë më 2017. Kjo situatë e jashtëzakonshme, e cila ende vazhdon, rezultoi në atë që Gjykata Themelore në Mitrovicë dhe Zyra e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë funksionin me kapacitet të reduktuar për shkak të mungesës së vazhdueshme të personelit. Rënia e dukshme e normës së zgjidhjes së lëndëve të të dyja institucioneve, ndërprerjet në procedurat gjyqësore, zvarritja e lëndëve dhe vështirësitë e qasjes në drejtësi për banorët nënvizojnë nevojën kritike për masa për adresimin e këtyre sfidave dhe për të rivendosur funksionimin efikas dhe të drejtë të sistemit të drejtësisë
në Mitrovicë”, thuhet në raport. /BetimipërDrejtësi