Shtete e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian po kërkojnë nga Banka Qendror e Kosovës që të shtyhet së zbatuari rregullorja e re për ndalimi e dinarit serbë. Madje nga BE-ja kërkojnë që kjo çështje të jetë temë e diskutimit në Bruksel ndërmjet Kosovës e Serbisë. Por nga BQK kanë shpjeguar detaje se si qytetarët serbë mund të përdorin euron nga 1 shkurti.
Kanë mbetur edhe dy ditë kur qytetarët serbë në Kosovë mund të përdorin dinarin për shit blerje.
Nga data 1 shkurt pritet që të hyjë në fuqi, rregullorja e re e BQK-SË e cila ndalon për cfardo transaksionin këtë monedhë.
E kjo rregullore ishte arsyeja që ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, t’i shkojë në zyre guvernatori të BQK-së, Ahmet Ismailit.
Kërkesa e ambasadorit amerikan ndaj guvernatorit të BQK-së ishte të shtyhet së zbatuar rregullorja e re.
“Sot zhvillova një takim produktiv me guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili. Përsërita shqetësimet e SHBA-së lidhur me zbatimin e rregullores së miratuar për operacionet me para të gatshme. Ne bëjmë thirrje që zbatimi i kësaj rregulloreje të shtyhet, në mënyrë që të japë kohë për tranzicion më efektiv dhe komunikim me publikun që të zbutet ndikimi negativ te qytetarët”, shkroi Hovenier në X, që më herët njihej si Tëitter.
Pas takimit me një njoftim doli edhe BQK-ja.
Kërkesa e ambasadorit amerikan si duket nuk pritet të plotësohet.
“Për më tepër, u sqarua se Rregullorja në fjalë nuk ndalon apo kufizon pranimin e mjeteve në llogaritë bankare në Euro në bankat e licencuara dhe as nuk kufizon aktivitetin këmbimor të cilësdo valutë që kryhen nga institucionet financiare bankare ose jobankare të licencuara nga BQK. Andaj, të gjithë individët, kanë qasje në llogari bankare dhe mund të pranojnë mjete në llogaritë e tyre në Euro, përmes kanaleve të ndryshme ligjore. Pra, të gjithë qytetarët që tashmë kanë një llogari bankare në Euro, në cilëndo bankë të licencuar në Kosovë, mund ta përdorin të njëjtën për të pranuar mjetet nga çdo shtet. Ndërsa ata që ende nuk kanë llogari, mund të hapin një të tillë tek secila bankë, sipas Rregullores së BQK-së për Qasje në Llogari Pagese për Shërbime Bazike, që për grupet e cenueshme e të skemave sociale nuk ka tarifë të hapjes e as të mirëmbajtjes, nga 1 janari 2024”, ka shkruar BQK në Facebook.
Edhe nga Bashkimi Evropian kanë kërkuar që kjo rregullore të shtyhet, dhe çështja të diskutohet gjatë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Kjo ngrit shqetësime për ndikimin që do të ketë te komuniteti me shumicë serbe në Kosovë, në veçanti për shkollat dhe spitalet, për të cilët nuk ka asnjë proces alternativ që duket i duhur në këtë moment. Rregullorja po ashtu ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e përditshme të shumicës së madhe të serbëve të Kosovës, të cilët marrin pagesa dhe asistencë financiare nga Serbia në dinarë serbë. Duke pas parasysh pasojat potenciale të kësaj rregulloreje në procesin e normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë ne presim që aspekti i cili lidhet me komunitetin serb në Kosovë të adresohet në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, është shprehur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
E për çështjen e dinarit u ankua edhe presidenti Serb, Aleksandër Vuçiq, në takimin që pati në Beograd me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
“E theksova domosdoshmërinë për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës urgjentisht, dhe kërkova mbështetje nga Bashkimi Evropian për ndalimin e provokimeve të mëtejshme që vijnë nga Prishtina”, ka thënë presidenti serb, Aleksander Vuçiq.
Në vendbanimet me shumicë serbe në Kosovës, dinari serbet është monedha kryesore që përdoret për pagesa.
Madje edhe ata që punojnë në institucionet serbe në Kosovës, pensionistet e shtesat për fëmijë e ndihma sociale paguhen me dinarë.