Tepihu i kuq u shtrua për të.
Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski të enjten në mëngjes u prit me nderime të larta shtetërore nga homologia e tij, Vjosa Osmani.
Para objektit të dy presidentët patën përshëndetje e shtrëngim duarsh.
E bisedën dhe takimin e vazhduan me dyer të mbyllura.
Por edhe kur përfundoi takimi, nuk pati konferencë për media.
Megjithëkëtë zyra e Presidentes tregoi për takimin me anë të një komunikate.
“Presidentja Osmani tha se me mbështetjen e shteteve mike sikurse Maqedonia e Veriut, Kosova mund të avancojë në rrugën e integrimit evropian. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani tha se anëtarësimi në Këshillin e Evropës është në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut të të gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim. Sipas Presidentes Osmani, Kosova ka dëshmuar angazhim serioz në procesin e reformave rrënjësore, ndaj meriton ta marrë statusin e vendit kandidat në BE. Presidentja Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut nuk është vetëm fqinje e Kosovës, por edhe partnere në shumë procese”, thuhet nga Presidenca.
Për takim me Osmanin, përmes rrjeteve sociale foli edhe presidenti Pendarovski.
“Me Vjosa Osmanin në Prishtinë biseduam mbi temat aktuale të marrëdhënieve dypalëshe, perspektivën evropiane të të dy shteteve, sfidat në plan rajonal dhe multilateral, si dhe mbi gjendjen e sigurisë në rajon dhe më gjerë. Me Kosovën kultivojmë marrëdhënie miqësore dhe dinamike, të bazuara në respektimin dhe mirëkuptimin e ndërsjellë”, tha ai.
E pas Osmanit, Pendarovski zhvilloi takim edhe me kryeministrin kosovar, Albin Kurti.
Edhe këtu, përveç pamjeve para takimit, nuk pati deklarime për media.
Se çka u bisedua, lajmëruan përmes komunikatës.
“Në takim u diskutua për marrëdhëniet bilaterale, fushat në të cilat mund të shtohet e thellohet bashkëpunimi, dhe projektet e përbashkëta infrastrukturore që lidhin dy shtetet, siç është projekti i rrugës Prizren-Tetovë për të cilën në javën e dytë të këtij muaji ministrat respektiv nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancim të hartimit të projektit për ndërtimin e tunelit për rrugën Prizren-Tetovë. U fol edhe për zhvillimet në rajon, procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe situatën e sigurisë pas sulmit terrorist dhe paramilitar të para katër muajve në Banjskë të komunës së Zveçanit. Me këtë rast, Kryeministri falënderoi presidentin Pendarovski për vendimin për Maqedoninë e Veriut për shtimin e kontingjentit të trupave të saj në kuadër të KFOR-it”, thuhet nga Qeveria.
Për takimin me Kurtin njoftoi edhe Pendarovski.
“Të dyja shtetet kultivojnë marrëdhënie dhe bashkëpunim dypalësh pozitiv dhe konstruktiv, me dialog të hapur në të gjitha nivelet. Shprehëm interes për përparim të tij në të gjitha sferat e interesit të përbashkët. I mbështesim aspirimet euroatlantike të Kosovës. Si anëtare e NATO-s japim kontribut aktiv në mbështetjen e paqes në Kosovë nëpërmjet pjesëmarrjes në misionin e KFOR-it”, tha presidenti maqedonas.
Gjatë ditës, presidenti maqedonas ka vizituar edhe qytetin e Pejës për t’i parë nga afër ushtarët maqedonas që shërbejnë në kuadër të misionit të KFOR-it.